Sezoni i ri që po fillon ka bërë që shumë emra të ekranit të lakohen për një zhvendosje të mundshme.
I tillë ishte rasti i aktorit të mirënjohur të “Portokalli”, Erion Isai.
Ai ka konfirmuar lajmin duke falenderuar të gjithë bashkëpunëtorët e tij gjatë këtyre viteve. Por Isai ka preferuar ta mbajë sekret arsyen e largimit.
Ai është spikatur në “Portokalli” në sajë të roleve të ndryshme që e bënë një nga personazhet më të dashur për publikun shqiptar.
Ndër të tjera në statusin e publikuar ai shkruan: “Për çdo lajm, mik apo të kuriozuar, që më ka pyetur apo ka dashur të dijë.
Sot e kam një përgjigje….Po! Kam vendosur të mbyll angazhimin tim në Portokalli. Pas viteve që më janë dukur si ditë, nga një 15- vjeçar, sot në një baba i një vajze, largohem nga Portokallia.
Nuk e di sa i kam dhënë, por di se shumë më ka dhënë. Faleminderit të gjithë aktorëve, miqve të mi, skenaristëve, që kanë qenë gjithmonë “një dorë e fortë” e një “mendie” më shumë në këtë rrugë të përbashkët. E pa dyshim, faleminderit “Top Channel”, ekranit që më dha mundësinë e jetës!
Faleminderit ju që më keni ndjekur, në televizion e në rrjete sociale. Ju që keni pëlqyer punën, për kënaqësine e suksesit që më keni dhënë.
Ju që s’më keni pëlqyer, për “uljen me këmbë në tokë” që më keni bërë. Rrugët dhe sfidat e reja, më pëlqejnë, ndaj mbështetja juaj, përkrahja juaj ma bën më të bukur e më të lehtë, çdo rrugë të re. Faleminderit!”