Guljelm Radoja, aktori i njohur shqiptar, ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Durrësit pas infektimit me Covid. Ai është shtruar në spital prej dy javësh dhe gjendja për momentin është përkeqësuar për shkak të problemeve me mushkëritë.
Në një komunikim me “Shqipëria Live”, i biri, pianisti Redi Radoja, u shpreh se “i ka pasur mushkëritë e rënduara para Covidit”. “Siç duket kjo sëmundja po i shfaq disa të fsheshta të shëndetit që nuk diheshin. Mbahet në reanimacion prej dy javësh,” tha ai.
“Mësoj se Guljelmi aktori ynë i dashur qenka rendë në spitalin e Durrësit nga Covid. Shteti shqiptar i detyrohet këtij aktori për një shërbim me të specializuar jashtë shtetit. Uroj të rezistosh e të fitosh Guljelm,” shkroi në Facebook skenografi Bashkim Zahaj.
“Më duket e pabesueshme që stafi i spitalit të Durrësit, të jetë kaq i paforcë për të dhënë alarmin për gjendjen e rënduar të Guljelm Radojës! Nuk mundem ta pranoj! Çdo orë kërcënuese për jetën e Lemit, do të jetë nesër një vrasje ndërgjegje për çdonjërin që kishte mundësi të ngrinte zërin, për ta shpëtuar! Le të shpresojmë që Guljelmi do jetë, për shumë vite Guljelm”, thotë regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj.
Radoja është një prej aktorëve më të njohur të kinematografisë shqiptare. Pas përfundimeve të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve, ai u angazhua fillimisht si aktor në Teatrin e Librazhdit, pasuar nga puna si regjisor në Teatrin “Bylis” dhe aktor në “Teatrin Aleksandër Moisiu”.
“MËSONJËTORJA” / GULJELM RADOJA NË ROLIN E STEFAN BARDHIT.
Disa prej filmave ku ka spikatur me rolet e tij janë “Gjurma”, “Në fillim të verës”, “Mësonjëtorja”, “Kush vdes në këmbë”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” etj. Radoja ka qenë i pranishëm në prodhime kinematografike edhe në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000, me “Kolonel Bunker”, “Unë, ti dhe Kasandra”, “Njerëz dhe fate” etj.
“KUSH VDES NË KËMBË”/GULJELM RADOJA NË ROLIN PETRO NINI LUARASIT.
Për meritat artistike është vlerësuar me titullin “Artist i Merituar”.