Edicioni i parë i versionit shqiptar të talent show-t “Tu si que vales”, ende pa filluar, ka ngjallur një interes të madh tek publiku por edhe nga konkurrenca televizive. Një format ku kryefjala është talenti dhe argëtimi i përcjellë nga konkurrentët në garë nuk do të ishte i plotësuar pa jurinë që ka rolin deçiziv në vlerësimin e tyre.
Tre do të jenë emrat vip që do të ulen në panelin e jurisë të “Tu si que vales”. Pasi ju zbuluam emrin e prezantuesit Drini Zeqo, IMA ka arritur të zbulojë emrin e një prej anëtarëve të jurisë, që padyshim mbetet një zgjedhje e zgjuar e produksionit. Bëhet fjalë për aktorin e madh të humorit Agron Llakaj, të cilin do të kemi mundësi ta ndjekim kështu dy herë në javë në ekranin e Vizion Plus. Pas suksesit 5 vjeçar me spektaklin e humorit “Alpazar”, duket se Vizion Plus ka vendosur ta mbajë gjatë në shtëpinë e tij aktorin Llakaj.