Një ngjarje e rëndë ka tronditur Malësinë e Madhe, ku prej disa ditësh tre të rinj rezultojnë të zhdukur.
Dyshohet se shtetasit Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj janë vrarë nga Danjel Pepaj. Ndërkohë, sipas të dhënave nga fshati Vrith babai i Danjel Pepaj, Rrok Pepaj është ngujuar në shtëpinë e tij, pasi familja Çutaj i ka vendosur një ultimatum për të treguar çfarë ka ndodhur dhe për të gjetur trupin, afat ky që ka mbaruar para dy netësh dhe tashmë Rrok Pepaj ndodhet i ngujuar.
Deri para dy netësh familjet të gjitha bashkë në besë ndaj njëri-tjetrit kanë kërkuar për trupat por tashmë ultimatumi ka përfunduar.
Policia vendore e Shkodrës ka kërkuar nga ajri përmes një droni përveç kërkimit fizik por deri më tani ende nuk janë gjetur trupat që mendohen si të vrarë.
Nga ana tjetër banorë dhe familjarë janë penguar që të kërkojnë në gjithë territorin malor duke qenë se dyshohet se ka ende parcela atje të cilat këto ditë presin që të korren. Pas korrjes së parcelave pritet që të ketë më shumë shpresë për të gjetur trupat e pajetë.