Të gjithë ata qytetarë që kërkojnë të rivlerësojnë pasuritë e paluajtshme me tatim 3% do të ketë afat deri më 31 dhjetor 2020. Qeveria ka gati vendimin për shtyrjen e afatit të procesit nga 30 shtatori deri në fund të vitit.
Ligji që lejonte rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme ka hyrë në fuqi që në 1 janar, por zbatimi i tij nisi me vonesë, për shkak të mungesës së udhëzimit, i cili hyri në fuqi në fillim të muajit shkurt. Sipas të dhënave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës deri tani në të gjithë vendin janë kryer 20 mijë aplikime për rivlerësim pasurie. Burime nga qeveria shpjeguan për Monitor se situata e krijuar nga koronavirusi, ku për shkak të rrezikut të përhapjes të virusit u pezullua puna në sportelet e kadastrës shtetërore është arsyeja e shtyrjes të afatit për rivlerësimin e pronës.
Udhëzimi parashikon që të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë brenda 31 dhjetorit (afati i ri i rivlerësimit që pritet të miratohet me vendim nga qeveria) kanë të drejtë që brenda këtij afati të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Këtu përfshihen dhe rastet, kur për pasurinë e paluajtshme është bërë edhe më parë rivlerësimi.
Të gjithë të interesuarit mund të zgjedhin vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ASHK-ja apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse. Për të përfituar nga rivlerësimi, nëpërmjet pasqyrimit të tij në regjistrin e pasurive të paluajtshme, individi duhet të paguajë më parë tatimin e rivlerësimit (3% e bazës së tatueshme) dhe tarifën e shërbimit, sipas ligjit nr. 90/2019.
Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive.
Aplikimi për rivlerësimin e pasurisë mund të kryhet online nëpërmjet portalit E-albania si dhe në sportelet e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Si llogaritet tatimi 3%
Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me çmimet minimale fiskale, që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe në përputhje me përcaktimet e udhëzimit për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme. Në këtë rast, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi (sipas çmimeve minimale fiskale në fuqi) dhe vlerës së zbritshme.
Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal.
Vlera e zbritshme, si në rastin e pikës 4 dhe në atë të pikës 5, është vlera e pasurisë sipas së aktit të regjistruar (të fitimit të pronësisë) ose ajo sipas rivlerësimit të mëparshëm (për të cilin është paguar më parë tatimi).
Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë për të përcaktuar vlerën e zbritshme, drejtoria vendore e ASHK-së bazohet në vlerën e çmimeve minimale fiskale në çastin e regjistrimit të aktit të fitimit të pronësisë.
Për zbatimin e këtij udhëzimi, brenda 5 ditëve nga hyrja e tij në fuqi, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i kërkon Ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën dhe Entit Kombëtar të Banesave listën e çmimeve të kostos mesatare të ndërtimit të banesave, në format digjital (Excel).
Rivlerësimi i pasurive për personat juridike me tatim 5 %
Personat juridikë, të cilët kanë të regjistruara në pasqyrat financiare të vitit 2019, në zërin aktive afatgjata materiale, pasuri të paluajtshme me vlerë kontabël më të vogël se vlera e tregut, kanë të drejtë të bëjnë, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, rivlerësimin e këtyre pasurive të paluajtshme me vlerën e tregut. Rivlerësimi me vlerën e tregut bëhet nga vlerësues të pasurisë, ekspertë të pavarur të licencuar nga institucionet përkatëse për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme.
Përfaqësuesi i personit juridik paraqet pranë drejtorisë rajonale tatimore, ku personi juridik është i regjistruar, dokumentet e mëposhtme:
a) deklarimin vullnetar për rivlerësimin e pasurisë
b) prokurën për përfaqësuesin ligjor, nëse kjo procedurë kryhet nga një përfaqësues ligjor i caktuar prej tij
c) kopje të licencës së ekspertit të pavarur të vlerësimit të pasurisë
d) kopje të faturës së shërbimit të ekspertit të vlerësimit të pasurisë
e) aktin origjinal të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, të nënshkruar dhe të vulosur nga vlerësuesi i pasurisë
f) pasqyrën financiare (bilancin kontabël) të vitit 2019, ku rezulton e regjistruar në zërin aktive afatgjata materiale, pasuria e paluajtshme që rivlerësohet, përfshirë anekset shpjeguese për aktivin afatgjatë material që rivlerësohet
g) kopjen e mandatit të pagesës për vlerësimin e pasurisë, në masën 5% të diferencës, ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël për pasuritë e paluajtshme të regjistruara në pasqyrat financiare.