Aktorja e mirënjohur Matilda Makoçi ka ridalë sërish në Top Channel, por kësaj here si mysafire e Adi Krastës në programin “E diell”. Ajo ka ndërhyrë në një konkurs poezie që moderatori i njohur organizon me të rinjtë e kryeqytetit.
I pyetur nga Krasta, Matilda Makoçi rrëfen se ka një marrëdhënie shumë të mirë me të birin, Gregun, i cili beson tek e ëma sekretet më të mëdha.
Po kështu me një sinqeritet të admirueshëm ajo tregon se kur ishte e re dikush i ka kushtuar një këngë me emrin e saj.
Në fund Matilda Makoçi rrëmbeu skenën me recitimin e poezisë “Të huaj jemi” të Ismaili Kadaresë, e shkruar në vitin e largët 1964.
Të huaj jemi
Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç’ish për t’u thënë është thënë.
Si gurët që zënë vend në tokë
Një jetë vend ne kemi zënë.
Drejt njëri-tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet
Si dy qytete mesjetarë
Me mure, heshta dhe me pirgje.
Por, natën, kur i lodhur truri
Portat i mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg dhe futesh brenda
Një shteg që vetëm ti e di.
Futesh dhe si n’rrugica parqesh
Shëtit mes cirkonvolucionesh.
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.
Po kur mëngjesi zë ofrohet
Nis shqetësohesh befas ti.
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu që veç ti e di.
E dita vjen. Rrjedh prap jeta
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetarë.