Në fund të vitit që lamë pas, gazetari Ardi Krasta, ka rimarrë monologun e nisur në muajin prill 2014, përmes të cilit ai paralajmëroi se një “luftë në kufijtë e absurdit” po bëhej për t’i marrë Radio Televizionit Publik Shqiptar një nga networket, e parashikuar për mbulimin dixhital të territorit. Krasta ka rikthyer atë që ka thënë më herët, duke e plotësuar atë me fakte të ndodhura ndërkohë, e që të cilat konfirmojnë shqetësimin se tanimë, qëndrimi i kryeministrit ndaj RTSHsë është jo Rilindja e tij, as ripërdorimi, por dënimi me vdekje.
Sipas Krastës zgjedhja e drejtuesit të AMAs është vetëm një hap në këtë proces që siç u shpreh ai ka nisur që ditën që Edi Rama hyri në kryeministrinë “e sapolyer” në një mbledhje “ku merrnin pjesë drejtues të platformave dixhitale në vend, por jo drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së”.
Vetë gazetari në fjalë, duke folur nga studiot e “Agon Channel” i është referuar deklaratave të Sali Berishës që fliste për një mafie në këtë drejtim. Sa e vërtetë është kjo gjë? Sa duhet ndarë ky term, me ngarkesë kriminale, nga termi tjetër Lobim?
Krasta nuk heziton të japë mendimin e vet: “Lobimi, term të cilin në SHBA dhe në BE e kanë dekriminalizuar… i bashkuar me enturazhin e kryeministrit është diçka jo e bukur. Ka kolegë të mi që e kanë quajtur atë të rrezikshëm, siç kanë quajtur të rrezikshëm lobimin e kohës së kryeministrit Berisha… Lobuesit dhe enturazhi i kryeministrit Rama, nuk mund të pranojnë të marrin më buzëqeshje për shkak të fytyrës fëmijërore, as gjuhëve të huaja që i dinë shumë mirë, as edhe talentit për të prodhuar shfaqje të hatashme marrëdhëniesh publike… Po ç’do të thotë lobim në kufijtë e absurditetit? Do të thotë që lobimi shoqërohet me kërcënim për braktisje të kryeministrit, për nxjerrje sekretesh qeveritare të raison d’etat, për bjerrje të qëllimshme të imazhit dhe vetë rënien e
tij të shpejtë politike”.
Dhe duke iu kthyer shqetësimit të shprehur në muajin prill, që parathoshte lojën e madhe që po zhvillohet për një nga networket dixhitale, që me direktivë të BEsë, dy i takojnë RTSHsë, Krasta ka deklaruar, në dritën e zhvillimeve disa mujore se:
“Natyrisht, kryeministrin e ka kapur një prej stacioneve televizive në vend. Këtë e dimë të gjithë…”. Teknikisht kjo plandosje e RTSHsë do të realizohej sipas Krastës, në kushtet kur tenderi për dixhitalizimin në 11 lotuse të Shqipërisë, do të zhvillohej pa studim dhe përgatitje (vlen 22 milionë euro dhe është fituar nga Roxher Shvarz), duke sjellë dështimin e plotë. Dhe me këtë rast do të duhej “ndërhyrja e privatëve”.
Marre nga BalkanWeb