Historia tronditëse e abuzimit seksual të një 15-vjeçareje mori përmasa të mëdha mediatike dhe shpeshherë shkoi deri aty ku u abuzua me privatësinë e të miturës. Media të ndryshme raportuan pamje nga banesa ku ajo jetonte, emrin e saj, foto të familjarëve. Familjarët e vajzës, përkatësisht babai dhe vëllai, u morën në intervistë nga emisioni “Me zemër të hapur” në News24, i cili moderohet nga Evis Ahmeti, njëkohësisht autore e programit. Ky emision guxoi edhe transmetoi pamjet e abuzimit të 15-vjeçares, përpara syve të familjarëve dhe teleshikuesve.
Momentalisht videot e intervistës së babait dhe vëllait të vajzës janë fshirë nga kanali i emisionit në YouTube, mirëpo portale të ndryshme, si IconStyle.al dhe News31.al, raportuan se gjatë emisionit u transmetuan momentet e abuzimit të vajzës, që ndonëse ishin bërë të turbulluta, nuk e zhbëjnë përgjegjësinë e emisionit që shkon kundër çdo ligji për të drejtat e njeriut dhe ruajtjes së privatësisë.
Nëpër komente online, qytetarët theksojnë se edhe sikur familjarët të kenë dhënë leje për transmetimin e videos, sërish kemi të bëjmë me një akt të shkeljes së privatësisë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një të mitur, viktimë e përdhunimit të përsëritur nga disa persona.
Altin Hazizaj, një nga themeluesit e Qendrës për Mbrojtjen për të Drejtat e Fëmijëve, e cila bashkëpunon me ECPAT – rrjet global organizatash që ka si qëllim të luftojë ndër të tjera shfrytëzimin seksual të fëmijëve – kritikoi ashpër emisionin “Me zemër të hapur” duke thënë:
“Kjo nuk është GAZETARI! Kjo është tallje dhe nëpërkëmbje e jetës së një 15-vjeçareje. E turpshme që të bësh famë me jetën e njerëzve të pambrojtur dhe për më tepër viktima të dhunës seksuale!”
Në komunikatën e saj në Kuvend, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, tha:
“Kërkoj nga AMA që të mos presë nxitje nga ne, por të merret aktivisht në mënyrë prioritare me mbrojtjen e të miturve të abuzuar seksualisht që po abuzohen për së dyti nga mediat, të cilat shpalosin detaje identifikuese për viktimat – shkelje e hapur kjo e të drejtave bazike të fëmijëve.
E dini se çfarë na kanë thënë të gjithë nxënësit tanë që janë ballafaquar me ngacmim apo abuzim seksual, pa përjashtim: “Ju lutemi, na mbroni anonimitetin! Ju lutemi, na mbroni nga gazetarët sepse nuk duam të dalim në televizor”.
Deri në këto momente, Autoriteti i Mediave Audiovizive nuk ka reaguar në lidhje me emisionin në fjalë. Duhet të shkojmë se ndonëse intervistat e dy familjarëve u kryen me shpinën nga kamera, në Facebook, emisioni publikoi artikujt ku duket qartë portreti i babait të vajzës, duke zbuluar kështu të dhëna të identitetit të saj.
Një psikologe, e cila preferoi të mbetej anonime, u shpreh për Anabel.al se roli i medias në të tilla ngjarje është krejt tjetër.
“Media duke pasqyruar rastin me detaje identifikuese, duke ekspozuar familjarët, duke e trajtuar joprofesionalisht ngjarjen, nuk kontribuon aspak në favor të kauzës. Si mund të ndihmohet një vajzë tjetër që ka përjetuar të njëjtën situatë nëse sheh si trajtohet ngjarja në media. Media duhet të informojë se çfarë është dhuna seksuale, të sensibilizojë njerëzit që të mos fajësojnë viktimën, të tregojë shërbimet që ofrohen për viktimat etj. Emisione të tilla nuk lehtësojnë situatën, përkundrazi e përkeqësojnë.”
Tri vite më parë, emisioni “Me zemër të hapur” u gjobit nga AMA me 200,000 lekë sepse transmetoi një video të një gruaje në momente intime me partnerin duke pretenduar se veprimet ishin kryer përpara fëmijëve.