Sa dhe si mund të investigojë media në Shqipëri korrupsionin në nivelet e larta të politikës apo Gjyqësorit? Zyrtarisht dhe juridikisht, për këtë rruga është e hapur me Kushtetutë. Dhe, në mediat shqiptare ka patur përpjekje, disa herë të suksesshme, për të zbuluar në mënyrë të pavarur nga hetimet e organeve të shtetit afera korruptive që lidhen me regjistrimin e pronave, koncesione të dhëna nga qeveria, prokurime publike me përfitime për zyrtarë të caktuar, konflikte gjyqësore të zgjidhura në përputhje me pagesën e rryshfeteve, shkelje të ligjit për ndërtimet në zonat muzeale, shkurtim të dënimit me burg për kriminelë shumë të rrezikshëm, etj. Kur investigimi ka qenë i bazuar, kjo u ka dhënë shkas organeve shtetërore që të nisin edhe ato hetimet në rrugë administrative, gjyqësore apo policore.
Por jo gjithnjë gazetarët janë të lirë të investigojnë mbi korrupsionin që ka përfshirë rëndë shoqërinë shqiptare. Kjo është pasojë e faktit që një pjesë e mirë e mediave në vend janë krijuar dhe mbahen në këmbë si pasojë e dëshirës së pronarëve të tyre privatë për të patur një armë në dorë për të ushtruar presion mbi qeverinë për të përfituar tendera, koncesione, leje ndërtimi apo leje minerare, apo për të ruajtur lejet aktuale, të cilat janë vënë në shënjestër të organeve të shtetit si pasojë e mangësive skandaloze në respektimin e ligjeve të vendit. Sot në Shqipëri ekzistojnë disa media të pronarit/ëve ndërtues, të tjera të pronarëve që kanë investuar në galeri të minierave të kromit, media që përdoren edhe për shplarë para të pista të pronarëve që kapitalin e tyre fillestar e kanë bërë nëpërmjet trafiqeve të drogës, të qenieve njerëzore apo të armëve.
Jo rastësisht, në këtë qerthull janë futur edhe vetë gazetarë të rinj, të joshur nga përfitimet që u ofron realiteti shqiptar në fushën mediatike. Jo rastësisht, tashmë po e kalojnë numrin 1.000 portalet shumëngjyrëshe, të cilat kryesisht kopjojnë lajme të njera-tjetrës, ndërsa kujdesen që të kenë vetëm një “goditje” apo “përkëdhelje” ndaj një ministri, ndaj një biznesmeni, të mishëruar në një shkrim kryesor. Që kjo të ketë efekt maksimal, kërkohet profesionalizëm dhe dokumentim i shkrimit – “kallash”, gjë që shumica e këtyre gazetarëve portale-prodhues nuk e zotërojnë apo përtojnë ta çojnë deri në fund. Por kjo nuk i ka penguar që të hapin nga dy-tre faqe në internet apo Facebook, duke shfrytëzuar teknologjitë e reja mediatike dhe informatike, por duke përfituar sidomos nga mungesa e veprimit të shtetit në kërkesën e respektimit të ligjit në këtë sektor. Shumica e tyre janë kthyer në një kënetë thashethemesh, që i lëshojnë pa problem, duke qenë se nuk deklarojnë as adresë, as nuk regjistrohen në asnjë organ shtetëror si subjekte, duke bllokuar kështu çdo tentativë nga ana e Gjyqësorit për të gjurmuar dhe gjetur selitë e tyre dhe autorët e shkrimeve, që mund të jenë të rreme, por edhe të dëmshme për interesat e vendit apo të bizneseve të caktuara.
Investigime të tilla, kryesisht kohët e fundit i konstatojmë në fusha nga më të ndryshmet e jetës së vendit. Por vihet re se agresiviteti i punës gazetareske nuk mbështetet aq në prova apo fakte të pakundërshtueshme se sa në konkluzione të arritura pa lëvizur gazetari nga zyra.
Në këto raste, në vend që gazetaria të luajë një rol pozitiv për zhvillimin e vendit, kthehet në një vegël që e përdorin disa persona për të arritur të nxjerrin fitime personale, apo qoftë edhe për të nxjerrë shpenzimet për të mbajtur portale të tilla, që kërkojnë detyrimisht edhe disa punonjës, që paguhen me paga qesharake, në mënyrë jo të rregullt, dhe pa asnjë kontribut në sigurimet shoqërore apo shëndetësore. Një kolege tregonte para disa kohësh që një portal i tillë, që mbahet nga një gazetare që nuk figuron në asnjë border të asnjë media tjetër në vend apo jashtë, i ofroi punë në të zezë me 15.000 lekë në muaj (110 euro!), të cilat as nuk ja dha asnjëherë, megjithëse kontribuoi ditë për ditë për tre muaj rresht. Ndërkohë, pronarja e kësaj medie bën një jetë luksoze, pasi dikush ja paguan faturat, bashkë me një fitim të majmë.
Rezultati është që investigimet e këtyre mediave kanë filluar të bëhen të pabesueshme për pjesën më të madhe të lexuesve, megjithatë, duke qenë se shumë zyrtarë tremben për PR-n e tyre dhe shumë biznesmenë shqetësohen që të mos dalin në skenë bëmat e tyre të pista, gjithnjë në treg ka para për të financuar këto aktivitete aspak produktive. Duke pritur që vettingu i reformës gjyqësore, por edhe spastrimi i pritshëm i politikës nga figurat e inkriminuara dhe të korruptuara të sjellë frytet e para, që do të pakësojë pa diskutim fondet e zeza edhe për këto media parasite, që nuk i duhen kujt. Sidomos, nuk i duhen formimit të një opinioni të shëndoshë publik, bazë e një shoqërie demokratike.