Rubrika më e re në “E Diell” mban emrin “Maskat” dhe ashtu vetë formati, ishte juria ajo që vodhi e para vëmendjen. Olti Curri, Zaimina Vasjari, Eranda Libohova dhe Megi Pojani (për herë të parë në rolin e prezantueses) janë katërshja që nisën dhe do të përfundojnë këtë sezon me “Maskat”.
Ku qendron sfida në të vërtetë? Tre personazhe të famshëm zgjedhin të maskohen, teksa performojnë një këngë para jurisë. Këta të fundit, nisur nga çdo e dhënë e mundshme, nisin të bëjnë një ‘parashikim’ se kush mund të fshihet pas kostumit. Puntata e para nisi me Niko Komanin, Erla Mëhillin dhe Renada Cacin, që shfaqën talentin e tyre në këndim – një anë kjo, që nuk e kishim njohur më parë.
Çka i dha tjetër ngjyrim formatit ishte kimia mes anëtarëve të jurisë, së cilët u kujdesën të bënin atë rreth së cilës sillet edhe programi: argëtim dhe energji pafund. Spontaniteti i Megi Pojanit tregoi se roli i prezantueses i shkon jo pak, kështu “Maskat” pati shumë për të përcjellë këtë puntatë të parë. Çfarë do të shohim në vijim? Mbetet për tu zbuluar në të dielat e radhës.