Festivali kryesor i muzikës moderne shqiptare “Kënga Magjike” këtë javë po shënon edicionin e tij të 19-të, që pas dy gjysmëfinaleve, do të përfundojë me finalen e madhe ditën e shtunë të datës 9 dhjetor, me një super spektakël, ku do të njihemi dhe me fituesin e këtij edicioni. Mes shumë artistëve pjesëmarrës të këtij edicioni si: Anxhela Persiteri, Elhaida Dani, Ciljeta, Stine, Laura Nezha, Samanta, Stresi, Evi Reci, Rovena Stefa, Mentor Haziri, Kastro Zizo & Rea Nuhu, Rovena Dilo etj., ajo që bëri më shumë “zhurmë”, padyshim se është Filloreta Raci (FIFI). Artistja e re multidimensionale nga Kosova, erdhi me një bashkëpunim me studion Threedots, përkatësisht kantautorin Kledi Bahiti. Balada e saj “Zhurmë” arriti që shumë shpejt të fitojë zemrat e publikut mbarëshqiptarë, duke u cilësuar si një ndër këngët më të mira të vitit 2017, dhe duke numëruar plot 2.8 milion klikime në kanalin Youtube, deri tani. Por Fifi nuk po konkuron vetëm ndaj kolegëve të saj, ajo po e konkuron edhe veten, sepse përveq si këngëtare ajo vjen edhe si krijuese këtë edicion të festivalit “Kënga Magjike”, disa nga krijimet e tjera të saj janë: Valon Shehu-“ Ti mos më shaj”( me tekst të Fifit), Fjolla Morina ft. Blasta- “Shake” ( me tekst dhe muzikë poashtu nga Fifi) si dhe tekstet në këngët e Mishela Rrapos dhe të Silvana Rusit, i ka shkruar poashtu FIFI. Deri këtu nuk asgjë të keqe,…. por formula e festivalit e nxjerr fituesin nga votat që japin këngëtarët për njëri-tjetrin, dhe siq ka ndodhur rëndom dhe në edicionet e kaluara, përkatësisht në fitoren e Rozana Radit në 2016 dhe Aurela Gaces në 2014 e 2015, me një matematikë të thjeshtë FIFI është fituesja potenciale e këtij viti.
Por le të kthehemi pas dhe të analizojme pse dhe si fituan Rozana dhe Aurela?! Vitin e kaluar, Rozana Radi u prezantua me një këngë që përcillte një mesazh të fuqishëm, tekstin e së cilës e shkroi ajo vet dhe kompozimin nga Elgit Doda. Rozana poashtu ishte tekstshkruesja edhe e disa këngëve të tjera atë edicion, e gjithashtu nga studioja muzikore e Elgit Dodës erdhën edhe këngë të tjera, këngëtarët që bashkëpunuan me Elgitin dhe Rozanën të gjithë i dhanë pikët maksimale asaj, dhe kështu triumfoi në natën finale.
Në edicionin e 17-të, Aurela Gace po merrte pjesë në këtë festival me baladën dramatike “Akoma Jo”, një krijim i kompozitorit Adi Hila, e pikërisht nga studioja e Adi Hilës, po atë edicion konkuronin edhe mbi 10 këngëtare të tjerë, të cilët me marrëveshje apo jo, i dhanë pikët maksimale këngës së Aurela Gaces, e cila poashtu përdori një formulë mjaft interesante atë edicion, sepse të gjithë konkurentëve pjesëmarrës ua shpërndante këngët nëpër rrjete sociale.
Pothuajse e njëjta gjë po ndodh edhe me këngëtaren FIFI këtë edicion, e cila ua shpërndanë nëpër faqet e saja zyrtare në rrjetet sociale këngët e artistëve pjesëmarrës të “Kënga Magjike 2017”, e ajo po sjell një bashkëpunim me Kledi Bahitin, kompozitori i shumë këngëve të tjera të këtij viti, si: Anxhela Peristeri – “E Cmendur”, Valon Shehu – “Mos më shaj”, Blerina Braka-“Mirupafshim Dashuri” etj. Pra, në mënyrë të pashmangshme lind pyetja: A e ka planifikuar FIFI fitoren në “Kënga Magjike 2017”?!
Nëse Fifi e ka gjetur formulën, atëherë përse të mos e zbatojë, por ku mbetet reputacioni i festivalit “ Kënga Magjike”, krijuesi i të cilit Ardit Gjebrea pothuajse cdo vit bën thirrje kundër pazarllëqeve ndërmjet këngëtarëve pjesëmarrës, e i cili shumë thjeshtë mund ta zgjidhë i vetëm këtë shqetësim të fansave të festivalit që cdo vit e ndjekin me kërshëri këtë festival. Ai qysh nga edicioni i ardhshëm mund të krijojë një formulë të re për festivalin, duke e ndryshuar thjeshtë një rregull, ku një kantautor/e apo tekstshkrues/e të mos paraqitet në festival me më shumë se 3 krijime të tij/saj. Pra, në këtë mënyrë ai do të ulte mundësinë që artistët të bënin pazarllëqe me njëri-tjetrin dhe do të shtonte gjasat që numri i pjesëmarrjes së artistëve dhe kompozitorëve nga Kosova të rritej më shumë (sepse dukshëm është zbehur kjo pjesëmarrje viteve të fundit, ndoshta edhe për shkak të kësaj formule të deritanishme).
E deri atëherë, le të shijojmë këngët pjesëmarrëse të këtij viti dhe natën finale të kësaj të shtuneje, me paraqitjet drithëruese të disa prej zërave më të mirë shqiptarë dhe pretendentëve për ta fituar këtë garë:
Anxhela Peristeri – E Cmendur
Elhaida Dani – Ngrirë
Fifi – Zhurmë
Samanta – Humbur
Rovena Dilo – Ke le për mu
Ciljeta Xhilaga – Hajmali
Mentor Haziri – Plagë në Zemër
Përgatiti: Ilami Hyseni