Dashuria pa kushte e kafshëve shtëpiake na bën të ndihemi më mirë dhe asnjëherë nuk ndihemi vetëm në praninë e tyre. Por kur bëhet fjalë për marrëdhënien midis qenit dhe femijës, duhet të kemi kujdes, raporton “The Sun”.
Mund të jetë diçka argëtuese për fëmijën dhe për ju teksa i shikoni që luajnë bashkë. Kini parasysh që qenushi apo qenushja juaj nuk është aq e pastër sa mendoni.
Kur ktheheni në shtëpi, ju e puthni qenushin, por fëmija nuk duhet ta shohë këtë veprim. Sistemi imunitar i një fëmije nuk është aq i fortë dhe efektiv sa i një të rrituri.
Të gjithë e kemi dëgjuar mitin që “goja e qenit është më e pastër se e një njeriu”, por kjo nuk është e vërtetuar nga ndonjë studim. Faktike është që bakteret orale që shkaktojnë sëmundje qëndrojnë dhe në gojën e njeriut dhe në gojën e qenit.
Duhet të kemi parasysh që qentë nuk janë të vetëdijshëm se ku e vendosin gjuhën.
“Gjuha e tyre është si një letër higjenike, pasi e përdorin për të pastruar organet e tyre gjenitale”,- thotë Marc Leavy, specialist i kujdesit shëndetësor në Baltimore.
“Studimet kanë konfirmuar se mukoza e qenit mund t’ju shkaktojë infeksione të gojës apo të mishit të dhëmbëve.”
Pra, një lëpirje e thjeshtë mund të ketë pasoja mjaft serioze, kur bëhet fjalë për kalimin e mikrobeve nga qeni tek njeriu.