Parodia e mbrëmshme në Al Pazar, ku moderatori Agron Llakaj dhe grupi i “polifonisë” së humoristëve i këndonin të zezat kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, ku në një strofë u përdor edhe togfjalëshi “Rrotë k…”, duket se nuk i pëlqyer aspak kryebashkiakut Veliaj. Minutat e fundit nëpër portale të ndryshme, po qarkullon një lajm sipas të cilit Agron Llakaj është shkarkuar nga puna menjëherë pas përfundimit të showt. Për këtë faqja Civitas.al i është referuar kryeredaktorit të gazetës Rilindja Demokratike, Bledi Kasmi. I kontaktuar nga Opinion.al, z. Kasmi është shprehur se sipas burimeve të tij të informacionit: “Z. Veliaj menjëherë pas showt humoristik Al Pazar në Vizion Plus, ku u shfaq edhe parodia, ka telefonuar pronarin e televizionit Artan Dulaku, ku i ka kërkuar shkarkimin e moderatorit Llakaj. Por Dulaku, nga sa di unë nuk ka marrë një vendim. Më pas unë kam kontaktuar me vetë z. Llakaj, i cili më ka thënë se nuk di asgjë mbi atë që mund të ketë ndodhur”. Për të qenë korrekt Opinion.al ka kontaktuar vetë me z. Llakaj dhe pret ende një përgjigje nëse lajmi është i vërtetë apo një bllof.
Marre nga Opinion.al