Sipas Agjencisë Meteorologjike të Athinës, janë të gjitha gjasat që në Mesdhe të formohet një Uragan, i cili të përshkojë të gjithë zonën detare deri në jug të detit Jon. Alarmi është dhënë për Greqinë dhe Turqinë, rruga e cila parashikohet të ketë uragani.
Mediat turke theksojnë se Uragani pritet të shoqërohet me erëra me shpejtësi deri në 200 km/h. Treguesit paraprakë janë shqetësues, por dita kur do të kuptohet nëse kemi të bëjmë me një fenomen shkatërrues apo jo pritet të jetë dita e sotme, 18 Shtatori, kur edhe do të arrihet kulmi i forcës së uraganit. Sipas parashikimeve që kanë bërë meteorologët, trajektorja e Uraganit do të jetë përmes Mesdheut duke ardhur deri në jug të detit Jon, dhe më pas për në Greqi dhe Turqi duke shmangur kështu Shqipërinë.
Për të folur për uraganin në detin Mesdhe, ka qenë në një lidhje direkte meteorologu Hakil Osmani.
Rudina Magjistari: Është menduar se kjo do jetë një stuhi e fortë tropikale, si është, ju e keni ndjekur, në çfarë pike ndodhet në këtë moment?
Hakil Osmani: Siç e thatë ju është një stuhi tropikale, temperaturat e larta të cilat ne kemi përjetuar në 15-ditshin e parë të muajti Shtator, kanë sjellë edhe këto stuhitë. Si fillim kjo stuhi ka prekur brigjet jugoret të Italisë dhe gjatë ditës së sotme ajo është drejtuar në brigjet detare të Greqisë, duke shmangur vendin tonë dhe duke mos qenë prezente në vendin tonë. Por që sigurisht kjo do të ndikojë edhe në kushtet atmosferike të vendit tonë. Jemi të mbrojtur nga fuqizimi i këtij cikloni që ka ndodhur në Mesdhe, por sigurisht vendi jonë është ndikuar nga kjo. Ditën e djeshme kemi patur rënie të vlerave termike.