Siç ka njoftuar përmes postimeve të fundit në Instagram-in e saj, Luana Vjollca nis së shpejti një prej formateve më të suksesshëm të “dating”, “Take Me Out Albania.”
“Take Me Out,” në versionet e huaja, ka një burrë përballë 30 grave. Përmes dritave të podiumeve që fiken dhe ndizen, gratë vendosin nëse janë të interesuara apo jo për beqarin në qendër të skenës.
Në fotot dhe videot e postuara nga moderatorja, duket se studio është e ngjashme me ato që kemi parë në formatat e huaja.
Ashensori, pjesa e skenës ku do të qëndrojë beqari dhe vendi i vajzave që duhet të zgjedhin. Në botë, ky spektakël ka rëzultuar goxha i suksesshëm për nga audienca dhe shanset që “Take Me Out Albania” të jetë “Big Brother” i ri për nga popullariteti, janë të mëdha.
Sipas formatit origjinal, i cili u zhvillua nga Freemantle në 2009-n, një burrë i vetëm vihet përballë 30 grave konkurrente që qëndrojnë në një podium të ndriçuar. Loja ndahet në tre segmente. Duke gjykuar vetëm nga pamja e burrit dhe nga një rresht informacion për të, gratë duhet të vendosin në duan ta mbajnë ndezur dritën apo duan ta fikin. Nëse e fikin, pra shprehin mospëlqim, nuk mund ta ndezin më. Në fazën tjetër, tregohet një video e beqarit që flet për cilësitë, aftësitë dhe parimet e tij.
Sërish, gratë zgjedhin ta mbajnë dritën ndezur apo ta fikin. Tregohet një video tjetër e një familjari a miku të beqarit që flet për të. Gratë vendosin sërish. Nëse në fund të këtij procesi kanë mbetur më shumë se katër drita ndezur, beqari fik një prej tyre. Më pas, tre grave të mbetyra u bën një pyetje. Fik dritën e njërës. Pastaj u bën një pyetje dy grave të mbetura dhe fik dritën e njërës duke mbetur kështu me një partnere. Nëse gjatë lojës fiken të gjitha dritat, beqari largohet pa një takim.
Në versionin britanik, beqari vjen në skenë me ashensor, takon vajzat, prezantohet dhe thotë nga është. Në vend të videos së dytë, beqari britanik performon një talent në skenë ose lejon dikë t’i nxjerrë një sekret. Gjithashtu, kur hyn në skenë, beqari përzgjedh një vajzë si “dashuri me shikim të parë,” por identiteti i saj mund ose mund të mos zbulohet në fund të puntatës.
Versioni kinez, që është jashtëzakonisht i suksesshëm, i jep mundësinë grave konkurrente të ndezin një dritë edhe më të fortë, që i bën menjëherë finaliste për të fituar një takim me beqarin.