Situata nga Covid-19 në vendin tonë po rëndohet çdo ditë e më shumë. Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se për 24 orë kanë ndërruar jetë 15 persona dhe janë shënuar 1021 raste të reja. Nga fillimi i pandemisë dhe deri tani janë regjistruar në total 1,696 viktima dhe janë infektuar 102,306 qytetarë.
Kritike duket situata në spitale, ku kapacitetet po ezaurohen çdo ditë e më shumë. Aktualisht në spitalet COVID po trajtohen 648 pacientë, 42 në terapi intensive, nga të cilët 15 pacientë janë të intubuar. Sakaq, ditën e sotme është hapur edhe pavioni i dedikuar COVID në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Mjekët po ngrenë alarmin se virusi po godet shumë edhe moshat e reja, të cilët para një viti konsideroheshin si kategoria më pak e prekur. Ditën e djeshme një 17-vjeçar ndërroi jetë nga Covid-19.
Aktualisht ora policore e vendosur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve është nga ora 20:00 e mbrëmjes në 06:00 të mëngjesit. Por, tanimë që situata po rëndohet a do kemi shtrëngim masash? Zëvendës Ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini, e ftuar në “Radar”, tha se për dy ditë Komiteti Teknik do dalë për të rekomanduar një shtrëngim apo stacionim të masave që janë aktualisht aktive. Ajo përjashtoi kategorikisht lirimin e masave.
“Tani kemi një zbritje të fashës së moshës që kërkon trajtim klinik. Deri në këto momente jemi stacionar në masat që jemi. Por incidenca është e qëndrueshme. Për dy ditë komiteti teknik do dalë për rekomandim për shtrëngim apo stacionim të masave. Komiteti i ekspertëve ka fuqinë të kërkojë një masë të tillë. KQZ dhe të gjitha pikat do të zbatojnë protokollin e sigurisë,”- tha Tomini.
Sipas saj këtë javë në Shqipëri do të nisë vaksinimi i të moshuarve mbi 90 vjeç, teksa të gjithë mjekët e familjes kanë publikuar emrat e të moshuarve dhe se do të vijohet sipas një udhëzimi të dhënë prej tyre. Ajo shtoi gjithashtu se të moshuarit mbi 90 vjeç që nuk munden dot të dalin nga shtëpia, do të vaksinohen në banesë.