Romanca e Evi Reçit me Kledi Hysën prej kohësh kishte marrë “dhenë” në rrjetet sociale. Ndonëse dyshja vendosën të mos bëjnë ndonjë deklaratë publike, veprimet e tyre shpesh herë i kanë nxjerrë zbuluar.
Mirëpo më në fund, çifti kanë rrëfyer përherë të parë historinë e tyre të dashurisë. Evi dhe Kledi kanë dhënë intervistën e tyre të parë ekskluzivisht për revistën “Who” ku kanë realizuar dhe një set fotografik.
Evi dhe Kledi, një histori dashurie, si nisën shkëndijat e para mes ju të dyve?
Evi: Rrëfimi ynë ndoshta nuk është ai i një historie klasiko-romantike, por një histori që shkëndijat i pati gjatë rrugës, një histori e sinqertë. Por nëse i përgjigjemi pyetjes së shkëndijave, ato nisën gjatë rrugës së njohjes. Ai më njihte si këngëtare dhe unë e kisha parë pak te “BBV”, (nuk e ndiqnim njëri-tjetrin në rrjetet sociale), dhe vetëm kaq.
Kledi: Por, ishte një event në dhjetor të vitit 2021 që ndryshoi gjithçka. Aty u takuam dhe le të themi se foli nënvetëdija jonë.
I besoni fatit, rastësisë, apo ndonjë personi që tani kërkon ato “këpucët e kuqe” sa herë iu sheh bashkë?
Evi: Të trija këto bashkëveprojnë, kur universi dëshiron që të ndodhë diçka e bukur. Në fakt këpucët e kuqe i takojnë dy personave shumë të dashur për ne, që në vetvete nuk patën qëllimi të na njihnin me njëri-tjetrin. I pari është Eraldo Rexho, i cili organzoi festën në dhjetor “A December to Remember” dhe siç ndodh në eventet e Eraldos ku mbledh miqtë, ishim të dy të pranishëm. Kledi erdhi me Adisin dhe unë me Arjola Shehun. Kësaj të fundit i takojnë gjithashtu këpucë të kuqe, pasi disa javë më parë Kledi ishte i ftuar në emisionin e saj dhe teksa të dy u përshëndetën, më prezantoi mua me Kledin. Mbrëmja na mblodhi të katërve në një tavolinë ku na bashkuan bisedat për “BBV”, televizionin, muzikën dhe jetën. Kemi qeshur shumë e kemi kërcyer të gjithë bashkë. Atë natë Kledi më bëri “Follow” në “Instagram”, por nuk folëm menjëherë. Ndaj mos mungoni asnjëherë në festat e Eraldos.
Duke qenë të dy personazhe publikë, shumë të njohur në fushat tuaja respektive, a ka qenë një “benefit” të themi për lidhjen apo një pengesë ose një “çmim” që e keni ditur që prej fillimit se duhet paguar?
Evi: Kur njohja të merrte një formë, kjo ishte pjesa që na shqetësonte më shumë. Ende nuk e dinim ku ishim. Jeta e Kledit kishte ndryshuar në mënyrë radikale pas “BBV”. Kishte ende vëmendjen e publikut, njerëzit e donin shumë, më pas u shtuan vajtje-ardhjet nga Austria, shumë gjëra për të zgjidhur dhe për më tepër duhej t’i përgjigjeshim dhe syrit kurioz të publikut. Nga ana tjetër, unë prej kohësh jam pjesë e medias, jam natyrë e përmbajtur në çdo sferë, sidomos në atë personale, kjo natyrisht ngjallte më tepër kuriozitet.
Kledi: Ne nuk na pëlqente të jepnim shumë shpjegime, sepse ende ishim duke ndërtuar diçka që nuk e dinim ku do të na çonte dhe çmimi që “paguanim” asokohe ishte të dilnim sa më pak, liria jonë ishte e kufizuar dhe ndërkohë lajmet e portaleve “gëlonin”.
Evi: Pooor, çdo vendim e kemi marrë bashkë. Siç është edhe kjo intervistë ekskluzive për “ËHO”. Nga ana tjetër benefitet ishin që i përkisnim të dy botës së medias, çka e bënte më të mirëkuptueshme situatën me njëri-tjetrin
Jeni përfolur prej kohësh për lidhje, pastaj kamuflohej, më vonë heshtje dhe sërish lajm se jeni bashkë, si i keni përjetuar gjatë kësaj kohe këto “janë-s’sjanë” bashkë?
Kledi: Në fillim ishte e sikletshme. Kur asnjëri nuk prononcohej, edhe portalet heshtnin. Pastaj kur ndonjë sy kurioz gazetaresk shkrepte ndonjë foto, lajmet rifillonin. E kështu ndodhte derisa vendosëm të pranonim realitetin, u bindëm që sado që të kishim kërkuar të respektohej heshtja jonë për çështje personale (disa e kanë respektuar, disa jo), kjo situatë do të vazhdonte kështu. Pastaj u qetësuam dhe thamë “Ok, tani buzëqeshim” dhe vazhduam në qetësi të jetonim jetën tonë.
Evi, cili ka qenë ai momenti që ke thënë “Po, ky djalë më pëlqen, dua të jem me këtë djalë, apo edhe atë qershinë mbi tortë “e dua këtë djalë”? A është paksa më e vështirë t’ia pranosh vetes ca të vërteta apo tjetrit?
Të them të drejtën, nuk ka pasur një moment të tillë, por gjithçka ka ardhur dalëngadalë. Shikoja vëmendje që kishte tek unë, përkujdesjen, respektin, mentalitetin e hapur që më përshatej, Por nëse do të thoja diçka, po, sa herë bënim plane, unë isha prioriteti i tij dhe kjo më bëri të kuptoja që kam të bëj me një person që përtej angazhimeve të shumta që kishte, dedikonte kohën e tij tek unë, pa u sforcuar e pa ia kërkuar. Madje nisa të kisha të nevojshme energjinë e tij çdo ditë, gjë që më bëri të reflektoja.
Po për ty Kledi si ka qenë kjo pjesë, ka qenë një moment që ke thënë “po, këtë vajzën e dua”, apo gjërat kanë rrjedhur natyrshëm dhe nuk mbetet vend për pyetje?
Nuk ka qenë si në filma, pra dashuri me shikim të parë. Por ishte një ndjenjë që rritej çdo ditë. Sa herë e shikoja dhe në momentet që ajo nuk ishte aty, më mungonte shumë, ishte një ndjenjë që ushqehej dita-ditës. Edhe nëse kishte momente që doja të qëndroja vetëm, kisha ndjesinë se më mungonte diçka dhe ishte pikërisht energjia e Evit. Për mua ka qenë një energji që më tërhiqte në drejtim të saj, sidomos kur kuptova sa më mungonte prezenca e saj. Në ato çaste kam kuptuar që “po, e dua atë vajzë”.
Kledi, na rrëfe ti 5 cilësi të Evit që të bënë të dashuroheshe me të?
Oho, do më duhej shumë kohë t’i numëroja të gjitha, por ok, po them 5.
Çiltërsia dhe pozitiviteti i saj.
Dituria e saj, pasi ka një kulturë internacionale.
Bukuria natyrale që ka (no silicon). Buzëqeshja e zbukuron edhe më shumë.
Fleksibiliteti i saj në situata të ndryshme, pasi nuk mërzitet dhe është e gatshme për gjëra të reja.
Timbri dhe ngjyra e zërit të saj(si në këngë dhe radio, sjell ngrohtësi dhe emocion).
Evi, na rrëfe 5 cilësi të Kledit që të kanë bërë të dashurohesh me të?
Ka një pafundësi, por unë po them 5.
Është gjithë kohës pozitiv. (Nuk të lë të biesh, sepse të inkurajon gjithë kohës për të ecur para).
Ka disiplinë për jetën e shëndetshme. (Ushtrohet çdo ditë dhe ha shëndetshëm).
Ka shumë humor dhe sarkazëm.
Është shumë i lidhur me familjen dhe bën shumë për ta.
Është i gjatë, i pashëm dhe me stil.
Marrë nga panorama.com.al