Ryan Kaji vazhdon të marrë “big bucks”, siç thonë përtej oqeanit, falë kanalit të tij të Youtube, “Ryan’s World”. Ylli 9-vjeçar i rrjeteve sociale kryeson listën e “Forbes” për personazhet më të paguar të Youtube në 2020, triumf që e vazhdon për të tretin vit radhazi, duke dalë para Jimmy Donaldson, David Dobrik, Jeffrey Star dhe 6-vjeçares Anastasia Radzinskaya.
Nga 1 qershori i 2019-ës në 1 qershorin e 2020-ës, Kaji ka fituar 29.5 milionë dollarë dhe 12.2 miliardë klikime në videot e tij në Youtube. Ai ndiqet nga Donaldson, i cili në fakt është i ri në botën e Youtube, me 24 milionë dollarë fitime dhe 3 miliardë shikime. Në vendin e tretë ishte Dude Perfect, një grup i përbërë nga 5 vëllezër të cilët bëjnë video duke luajtur, festuar apo të aktiviteteve të tjera për fëmijë dhe që fituan 23 milionë dollarë e 2.77 miliardë klikime. Më pas vinin Radzinaskaya me 18.5 milionë, Dobrik me 15.5 dhe Jeffrey Star me 15.
Ryan e nisi rrugëtimin e tij në Youtube në vitin 2015, ku në atë kohë kanali i tij quhej “Ryan Toys Review”, derisa ai e ndryshoi në tetor të 2019-ës. Brand-i i tij, përveç videove në rrjetet sociale, është zgjeruar me lodra, veshje dhe një shfaqje televizive në Nickelodeon “Ryan’s Mystery Playdate”.
Sipas Forbes, një pjesë e madhe të fitimeve të Kaji-t, vjen nga “kontratat për më shumë se 5000 produkte të brand-it Ryan’s World”, ku përfshihet gjithçka, që nga lodrat, radiomarrëset deri tek dekoret për rregullimin e shtëpisë. Po ashtu ata krijuan dhe maska, nisur nga pandemia e koronavirusit.
Kanali i Kaji-t, i cili ka 41.7 milionë ndjekës, ka video të tij që bën review lodrash të ndryshme, që nisi kur ai ishte 3 vjeç. Po ashtu video të tij që bën eksperimente dhe “leksione” të thjeshta për fëmijët se si të lajnë dhëmbët dhe gjëra të tjera edukative nga historia dhe gjeografia.