Sektori i turizmit është një sektor i cili sidomos dekadën e fundit ka njohur një zhvillim të madh në vendin tonë. Asetet natyrore dhe rritja e nivelit të investimeve kanë çuar në afrimin e mjaft turistëve vendas dhe sidomos të huaj, duke e bërë sektorin e hoteleri-turizmit një ndër sektorët me nivelin më të lartë të punësimit, sidomos për të rinjtë.
Po si janë gjendur të rinjtë në dinamikat e këtij sektori dhe tregut të punës?
Për të gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje na vjen në ndihmë anketimi i kryer nga Organizata LIBURNETIK në bashkëpunim me organizatën CLR në kuadër të projektit ‘Youth 4 Working Condition Rights‘, i zbatuar me mbështetjen e Olof Palme. Ky anketim ka përfshirë 600 të rinj të ish/punësuar në sektorin e hoteleri-turizmit, të cilët i janë përgjigjur pyetjeve mbi kushtet e punës, respektimin e të drejtave të tyre në punë, barazinë gjinore dhe mos diskriminimin në vendin e punës, sindikatat dhe njohuritë e përgjithshme mbi legjislacionin shqiptar të punës.
Përpara se të kalojmë në parashtrimin e gjetjeve na duhet të bëjmë vetëm një parantezë të vogël: gjetjet e anketimit janë alamr për institucionet përgjegjëse, por mbi të gjitha për ne si shoqëri!
Në tregun e punës, Hoteleri – Turizmi ofron një gamë të gjerë mundësish të ndryshme profesionale, të cilat variojnë nga profesionet me aftësi të ulëta tek ato me aftësi të larta, të cilat janë veçanërisht interesante për të rejat dhe të rinjtë. Një shtrirje e tillë në tregun e punës sjell edhe mundësi të mëdha për abuzim. Ndër format më tipike të abuzimit, madje ndër format më fillestare është edhe informaliteti, ose e thënë ndryshe punësimi pa kontratë! Natyrshëm nga ana ligjore nuk mund të jemi duke folur për punësim në mungesë të një kontrate, por faktet shpesh vërtetojnë të kundërtën. Si një sektor i cili ka tendenca operimi në mënyrë sezonale, hapësira për informalitet shihet si mjaft e gjerë, e megjithatë sipas anketimit, vetëm 10.4% e të pyeturve nuk kishin nënshkruar kontratë me punëdhënësin e tyre. Një shifër e tillë kaq optimiste gjykohet të jetë rezultat së pari i ndërgjegjësimit të rritur të të rinjve në kërkesat e tyre fillestare për punësim, por së dyti edhe një rritjeje të presionit për punëdhënësin për të qenë i mbrojtur ndaj inspektimeve dhe dënimeve të rritura për informalitetin e marëdhënieve të punësimit. Roli i inspektoratit të punës në këtë drejtim është një tjetër ndikim në masë të vogël për të rritur formalizimin dhe diaogun social mes palëve në një marrëveshje pune. Një shifër e tillë është tejet e kënaqshme, megjithatë vazhdon të na ngrejë pyetje shqetësuese, si: A janë të gjitha kontratat e nënshkruara të vlefshme apo ka prej tyre të cilat janë të paligjshme në përmbajtje? Sa të familjarizuar janë të rinjtë me të drejtën e tyre për një kopje të kontratës? A njihen të rinjtë me të drejtat që një marrëdhënie kontraktuale u jep? Kontrata e firmosur është një kontratë e negociuar paraprakisht apo një kontratë standarde punësimi për subjektin punëdhënës? Të gjitha këto pyetje vlejnë për të na vendosur në dukje se ndonëse shifra në vetvete është tejet optimiste dhe tregon një emancipim të mentalitetit sipërmarrës dhe atij punëmarrës, sërish nuk mund të shohim formalitetin si elementin absolutisht garantues të të drejtave të punonjësve brenda sektorit, por vetëm si një element iniciues të garantimit të pozitës së punëmarrësit dhe të drejtave të tij.
Lidhur pikërisht me respektimin e të drejtave anketimi na ka kthyer përgjigje për mjaft pyetje të rëndësishme, kështu:
- Në lidhje me orarin e punës rreth 9% e të anketuarve deklarojnë se punojnë mbi 8 orë në ditë, ku 82.1% u përkasin bizneseve me aktivitet Bar-Kafe/Bar- Restorant/Resort dhe 62.4% i përkasin kategorisë që kanë më pak se 1 vit punë në biznesin përkatës.
- Për sa i përket pushimeve vjetore dhe festave zyrtare 62.8% e të anketuarve deklarojnë se në kontratën e punës janë të parashikuara pushimet vjetore dhe festat zyrtare, ndërkohë vetëm rreth 9.3% e të anketuarve deklarojnë se përfitojnë ditët e pushimit vjetor të paguar dhe 43% e të anketuarve deklarojnë që nuk marrin pushim as ditët e festave zyrtare.
- Lidhur me pagimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore 42.3% e subjekteve punëdhënëse paguajnë sigurime shoqërore dhe shëndetësore mbi pagën reale që marrin të rinjtë, duke bërë që më shumë se gjysma të mos paguajnë sigurime ose t’i paguajnë mbi pagën minimale. Paralelisht pagimi i raportit mjekësor nga punëmarrësi kryhej vetëm për 40.4% të të anketuarve.
- Në raport me sindikatat dhe organizimin sindikal, 44% e të rinjve të anketuar deklarojnë se nuk kanë informacion se çfarë është një sindikatë; ndërkohë vetëm 6.3% e të anketuarve deklarojnë se janë në dijeni se ka një sindikatë në sektorin e tyre.
- Mbi jetëgjatësinë në vendin e punës 60% e të anketuarve u shprehën se kanë më pak se 1 (një) vit punë në subjektin ku po punojnë aktualisht.
Të dhënat e mësipërme janë tregues të qartë se ndonëse ka një qasje pozitive në respektimin e të drejtave të punëmarrësit, qasja mbetet e pamjaftueshme për garantimin e plotë të këtyre të drejtave. Përpos punës së institucioneve për ndërgjegjësimin dhe aktualizimin e punëdhënësve për rëndësinë e respektimit të të drejtave të punonjësve është e rëndësishme që dhe të gjithë aktorët e tjerë të ndërmarrin nisma të cilat ndërgjegjësojnë të rinjtë që synojnë të punojnë në sektor mbi të drejtat e tyre legjitime dhe kontraktuale. Pasiguria në vendin e punës, mungesa e informacionit dhe abuzimi me orët/ditët e punës janë fenomene shqetësuese të cilat ndikojnë në mirëqenien e punëmarrësit në mënyrë të pashmangshme, për këtë arsye rëndësia e denoncimit dhe e mbrojtjes së të drejtave në vendin e punës duhet të jenë edukatë dhe njohuri bazë për çdo të ri.
Për të kaluar më tej në të drejtat e lidhura me respektimin e dinjitetit njerëzor, barazia gjinore dhe mos diskriminimi janë tashmë parime të mire pranuara, por sa zbatohen ato në tregun e punës së sektorit të hoteleri-turizmit sipas të rinjve?
Sipas anketimit:
- 8% e të rinjve të punësuar mendojnë se femrat dhe meshkujt trajtohen në mënyrë të barabartë brenda kompanisë (shoqërisë) ku ata punojnë dhe paralelisht 43.9% e të anketuarve deklarojnë se përfaqësimi gjinor në pozicionet drejtuese/mbikëqyrëse është i barabartë në biznese;
Megjithatë nga ana faktike vihet re se meshkujt përfaqësohen në pozicionet drejtuese rreth 4 herë më shumë krahasuar me femrat.
- Rreth 5% e të rinjve të punësuar se ndihen të diskriminuar nga punëdhënësi për shkak të gjinisë, ose të besimit, ose të paaftësisë fizike dhe rreth 6.9 % e të anketuarve kanë refuzuar që t’i përgjigjen kësaj pyetje, e cila është relativisht e lartë duke e krahasuar me vlerën 5% që kanë deklaruar se ndjehen të diskriminuar.
Statistika dhe qasje të tilla ndonëse lidhen me një mentalitet më të gjerë sesa thjesht tregu i punës, janë reflektuese të status quo-s në të cilën ndodhet shoqëria jonë dhe në kuadër të së cilës duhet të ndërmerren nisma për fuqizimin e grupeve të nën përfaqësuara, në mënyrë që këto të fundit të mos jenë më tepër të disavantazhuara seç e dikton zhvillimi i tanishëm ekonomik dhe juridik i tregut të punës.
Rëndësia e këtij anketimi, apo edhe më tej, këtij projekti qëndron pikërisht në këtë vlerë apo mesazh që ajo përcjell: nevojën për fuqizim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë të pozitës së punëmarrësit. Është e rëndësishme për një ekonomi të shëndetshme dhe për mirëqenien e përgjithshme shoqërore që tregu i punës të jetë vazhdimisht në përmirësim të kushteve që ofron për punëmarrësit. Në këtë kuadër kënaqësia institucionale nga arritja e përmirësimeve duhet të shmanget me çdo kusht dhe çdo aktor pubik, privat apo shoqëri civile duhet të nxis në mënyrë të vijueshme dhe të pandërprerë respektimin e të drejtave të punës.
Projekti ‘Youth 4 Working Condition Rights‘ synon të rrisë ndërgjegjësimin midis të rinjve të shkollave të mesme profesionale mbi kushtet e punës, binomin të drejta- detyrime, duke u fokusuar gjithashtu edhe në rëndësinë e sindikatave dhe legjislacionit shqiptar.
Neve nuk na mbetet gjë tjetër veçse të falënderojmë LIBURNETIK dhe CLR që u krijuan hapësirën të rinjve të punësuar në sektorin e hoteleri-turizmit të shprehen mbi pakënaqësitë e tyre për tregun e punës dhe urojmë që nisma të tilla dhe diskurse debatesh të cilat trajtojnë tema me rëndësi të tillë të bëhen më të shpeshta në opinionin publik shqiptar!