Ylli britanik i filmit, Robert Pattinson, e ka zbuluar se roli i tij i Batmanit do ta shijojë hakmarrjen ndaj kriminelëve.
Aktori 35-vjeçar e portretizon superheroin e dashur për publikun në filmin e ardhshëm të regjisorit Matt Reeves, “The Batman”, dhe në një intervistë të fundit tregoi se shikuesit do ta shohin një anë të errët të këtij personazhi, ani pse ai vazhdon ta ndjekë kodin i cili nuk e lejon të kryej vrasje.
Për revistën franceze “Premiere”, Pattinson tha: “Ekziston një rregull për Batmanin, që ai nuk duhet të kryej kurrë vrasje. Kjo gjë mund të interpretohet në dy mënyra. Ai dëshiron t’ua jap dënimin e duhur kriminelëve, ose dëshiron t’i vrasë ata por kontrolli mbi veten nuk e lejon ta bëjë një gjë të tillë. Dhe nga provat e para të skenave me dyluftim, unë e imagjinova këtë personazh në atë mënyrë. Mendoja se ishte më qesharake ta sjellja rolin pak më të dhunshëm. Thash me vete, nëse ai i kalon netët duke i ndjekur kriminelët, atëherë është e pamundur të mos e shijojë hakmarrjen dhe dhunën. Ai është një burrë që vuan dhe e ka një dëshirë e cila e pushton të tërin”.
Tutje, ylli i filmave “Twilight” deklaroi se për të, e vetmja mënyrë për ta portretizuar një superhero në film ishte nëse ai do të vinte më i errët dhe më i dhunshëm.
Studioja filmike prapa këtij projekti vendosi t’i ndajë me fansat e superheroit të famshëm, disa pamje të reja të cilat e shfaqin më mirë raportin mes dy personazheve, Batman dhe Catwoman, të portretizuar në film nga Robert Pattinson dhe Zoe Kravitz si dhe sjell pamje të shkurtra të karaktereve të liga, The Riddler i personifikuar nga Paul Dano, dhe Colin Farrell i cili vjen në rolin e Penguinit.
Krahas yjeve, Pattinson, Kravitz, Dano dhe Farrell, në film luajnë edhe aktorët: Jeffrey Wright, John Turturro, Peter Sarsgaard dhe Andy Serkis.
“The Batman” vjen i realizuar me një buxhet prej 100 milionë dollarësh, ndërsa planifikohet të lansohet nëpër kinema më 4 mars të këtij viti.