Personazhi i aktores Isla Fisher në serialin e ri i cili i përzien disa zhanre, “Wolf Like Me”, është një grua paksa romantike. Ajo i flet katër gjuhë, është e zonja në kuzhinë dhe i bënë njerëzit për vete si me magji. Por, në anën tjetër, ajo di të jetë shumë e largët dhe jashtëzakonisht shtazarake. Gjithashtu, ajo e ka një sekret të madh personal.
Kurse personazhi aktorit Josh Gad, është një burrë shumë i kuptueshëm. Edhe ai është paksa i çrregullt dhe një rrëmujë nga ana emocionale që nga vdekja e gruas së tij, teksa përpiqet më kot të lidhet me vajzën e tij tinejxhere.
Kjo është tema që trajtohet në serialin e ri të platformës “Peacock” që përbëhet nga gjashtë episode, dhe përzien komedinë, dramën për të rritur dhe traumën zemërthyese. Është një histori e dy njerëzve të plagosur emocionalisht të cilët mësojnë ta hapin zemrën sërish.
Aktorja Isla Fisher tha se dy kryepersonazhet lidhen nga bagazhi i tyre personal dhe gjithashtu ndjenjat e fajit dhe turpit.
“Unë mendoj se ata mbajnë një ngarkesë bagazhesh dhe duke mos dashur të zbuloj shumë për personazhin tim, ata që të dy mbajnë shumë faj dhe turp brenda vetes, duke mos e pranuar veten për zgjedhjet që mund t’i kenë bërë ose rrethanat që mund t’u kenë ndodhur atyre. Dhe falë një lloj përplasjeje metaforike me njëri-tjetrin dhe duke e pasur mbështetjen e universit, ata përfundojnë duke rënë në dashuri me njëri-tjetrin. Më në fund, që të dy janë në gjendje ta kenë një lidhje emocionale që kapërcen të gjitha pengesat sipërfaqësore ose të jashtme që i kanë penguar tash e ca kohë” deklaroi aktorja.
Seriali “Wolf Like Me” është krijuar, shkruar dhe drejtuar nga Abe Forsythe, i cili në të kaluarën e ka shkruar skenarin dhe e ka bërë regjinë e filmit “Little Monsters”, ku rolin protagonist e luanin aktorët Lupita Nyong’o dhe Josh Gad.
“Nuk dija asgjë. E shikova një pjesë të vogël dhe krijuesi i shout, Abe Forsythe, m’i kishte dërguar tri episodet e para. Unë menjëherë i telefonova dhe i thash të m’i dërgoj edhe tri të fundit sepse më duhej ta kuptoja se ku po shkon kjo histori, sepse gjithçka më dukej një çmenduri e vërtetë. Duke qenë se unë kisha bashkëpunuar më parë me regjisorin në filmin ‘Little Monsters’, e dija se ai është një nga skenaristët më të talentuar kur bëhet fjalë për t’i dhënë projekteve njëqind tone të ndryshme dhe për t’i bërë disi që të punojnë së bashku. Por nuk isha i sigurt se si do ta arrinte atë në formën e një seriali. Dhe ai e bëri atë kaq bukur. Kështu që unë menjëherë – pasi kisha dashur gjithmonë të punoja me Islën dhe bazuar në përvojën e kaluar të punës me Abe – e pranova menjëherë rolin ani pse detyrohesha të shkoja në Australi për të xhiruar për tre muaj, mu në mes të një pandemie. Mu duk një projekt të cilit nuk mund t’i thosha jo sepse ishte shumë origjinal, shumë ndryshe dhe kaq bindës. Dhe në një kohë kur thjesht gjithçka të duket e përsëritur, kjo histori ishte ndryshe nga çdo gjë që kisha parë ndonjëherë”.
Nga fillimi i këtij seriali, publikun e pret një rrugëtim argëtues i mbushur me ngjarje të cilat zënë vend në periferitë e Australisë. Por e veçanta e gjithë projektit sigurisht është loja e mrekullueshme e aktorëve, Gad dhe Fisher. Ai shquhet për huazimin e zërit për personazhin e dordolecit të dashur dhe qesharak në filmin e animuar “Frozen”, Olaf, derisa aktorja shquhet për personifikimin e gruas energjike dhe të pasionuar pas shopingut, Rebecca Bloomwood, në filmin “Confessions of a Shopaholic”.
Seriali “Wolf Like Me” tashmë ka filluar së transmetuari për publikun mbarëbotëror.