Ai është i izoluar dhe larg saj për një muaj tanimë, por Donald Veshaj nuk harron asnjë detaj nga marrëdhënia që ka (pasur) me moderatoren Bora Zemani. Gjatë spektaklit mbrëmjen e djeshme, aktori zbuloi se data 5 nëntor është e veçantë për ta. “Si sot para tre vitesh njoha Borën”, tha ai dhe kishte vendosur ta suprizonte me mënyrën më të pazakontë. Brenda një kutie me ëmbëlsira kishte vendosur varësen e tij që e hodhi përtej murit të shtëpisë, duke shpresuar se ditën e nesërme Bora do ta gjente këtë pako gjatë ardhjes së saj në ambientet e institucionit, ku edhe ajo punon.
Mirëpo, a mbërriti tek Bora? Mesa duket po, dhe këtë e ka treguar vetë moderatorja. Ajo ka postuar një foto në Instagramin e saj, në ambientet e “Top Channel”, ku shihet me kutinë e ëmbëlsirave që nisi Donaldi për të, dhe sigurisht edhe varësen e aktorit.
“Fundjavë të ëmbël” shkruan Bora, e në fakt nuk mund të ishte më e ëmbël as për të e as për ne. Ndaj, të gjithë djemtë t’i harrojnë justifikimet për surpriza tani e tutje! Donaldi sapo na tregoi se për të arritur tek njeriu që do, në një formë apo në një tjetër, nuk të pengon as distanca, as izolimi, e as muret e shtëpisë më të famshme në Shqipëri…