Çlirimi i Tiranës është një nga momentet më historike të historisë moderne të Shqipërisë. Është i vetmi kryeqytet ku më vonë triumfoi komunizmi i cili u çlirua pa ndihmën e Ushtrisë së Kuqe.
76 vite më parë kryeqyteti shqiptar u çlirua. Ky moment historik, konsiderohet si operacioni më i madh, nga më të rëndësishmit, më të ashprit e më të suksesshmit që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.
Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korpomatës së I Sulmuese. Shtabi i korpomatës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme.
Plani parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim mbylljen dhe goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës. Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor). Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29, 10, – 17, 11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij.
Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij.
Çlirimi i kryeqytetit pati rëndësi të madhe politike e ushtarake. Ai kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare; i shkaktoi humbje të mëdha e vonoi tërheqjen e forcave gjermane. Njësitë e Korparmatës 1 realizuan me sukses detyrën që u ngarkoi Shtabi i Përgjitshëm i UNÇSH.
Lufta për çlirimin e Tiranës ishte operacioni më i madh i shkallës operativo-strategjike i zhvilluar nga UNÇSH-ja për çlirimin e qyteteve.
Hapësira e operacionit – 4000 km2
Kohëzgjatja – 2 muaj, 19 ditë radhazi për çlirimin e kryeqytetit.
Të rënë – 127
Të plagosur – 290
Humbjet e armikut
3000 të vrarë dhe shumë të plagosur,
300 robër,
25 topa,
4 tanke,
100 mitralozë,
200 automjete,
250 karro me materiale të ndryshme, etj.