Dihet që reklamat dhe programet televizive, kaë një marrëdhënie simbiotike mes tyre, pra marrin dhe japin. Logjika është e thjeshtë: Që të reklamosh para apo gjatë transmetimit të programeve më të ndjekura, sigurisht që duhet të paguash më shumë.
Ndaj, kur flasim për emisionet “më të shtrenjta”, në televizionet shqiptare aktualisht, me siguri të gjithëve ju vjen në mend “Big Brother VIP”, ku ka qenë e gjithë vëmendja e publikut, e rrjedhimisht edhe bizneseve.
‘Monitor’ ka përpunuar për sezonin e ri në shtator 2021 tarifat në ofertat e televizioneve sa i takon reklamimit.
Në Top Channel “Big Brother Vip” këtë vit ka zbritur nga “froni” “Portokalli”, duke u bërë emisioni më i shtrenjtë për të reklamuar. Kështu, një sekondë para se reality show të nisë transmetimin kushton 5700 lekë, kurse gjatë transmetimit, 11.000 mijë lekë. “Portokalli” për reklamat që transmetohen para spektaklit kushton 4300 lekë, kurse gjatë transmetimit, 8500 lekë.
Të tretët ndër më të shtrenjtët janë sërish dy emisione të lidhur me “Big Brother VIP”; i pari është “Përmbledhje Ditore e BB VIP” dhe i dyti “Fun Club BB VIP”, ku çdo sekondë gjatë transmetimit paguhet 4600 lekë.
Në TV Klan, ndërkohë, “Opinion”, “Klanifornia” dhe “Love Story” mbajnë çmimin më të lartë për reklamat që transmetohen gjatë ndërprerjes së emisionit me 6750 lekë/sekondë, ndërsa para emisionit, çmimi është 3400 lekë/sekondë.
Pas tyre, vijnë “Zonë e Lirë” dhe “E Diela Shqiptare”, e më pas “Stop”.
Televizioni Vizion Plus, në listën e programeve më të shtrenjta për reklamim ka “Këngë Moj” dhe “Al Pazar” me 6600 lekë/sekondë për transmetimin gjatë emisionit, ndërsa para emisionit, çmimi është 3000 lekë/sekondë.
Ajo që vihet re, është se programet më të lira, sa i përket reklamimit, janë emisionet e mëngjesit, në të tre televizionet e lartpërmendur, përkatësisht “Wake Up”, “Aldo Morning Show”, dhe “7 pa 5”.