Një muaj nga mbyllja e garës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur kompaninë fituese për koncesionin 35-vjeçar për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Do të jetë konsorciumi turk İNTEKAR YAPI LTD. ŞTİ, që do të kryejnë punimet për një nga veprat infrastrukturore më të rëndësishme në vend, ndërkohë që investimi kap vlerën e 17,036,526,000 lekëve.
Fondi limit i vënë në dispozicion ishte 18.96 mld lekë, ndërkohë që referuar dokumenteve të tenderit afati i zbatimit të kontratës do të jetë 37 muaj, çka do të thotë se nëse marrim parasysh edhe proceduart e lidhjes së kontartës apo pajisjen me lejet e nevojshme, kjo vepër nuk do të jetë gati në këto 4 vite. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synonte të shpallte fituesin që në shkurt të këtij viti, por gara e hapur në dhjetor të vitit të kaluar nuk u përmbyll me sukses, pasi 6 kompanitë pjesëmarrëse u skualifikuan.
Ndërkaq, gara për përzgjedhjen e kompanisë, u rihap në datën 30 qershor të këtij viti, si përpjekje e radhës, për të shpallur fituese një kompani, që plotësonte kriteret e vendosur në tender. Tuneli i Llogarasë do të ketë një gjatësi prej 6 km, ndërsa do të shkurtojë kohën e aksesimit të jugut të vendit me rreth 45 minuta. Ai është pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë pjesë e Autostradës Vlorë – Sarandë, ndërkohë që sipas projektit ai nis nga Ura e Shën Elizës dhe do e ketë daljen në Urën e Palasës, duke evituar tërësisht Qafën e Llogarasë.