Komisioni i Ligjeve miratoi ditën e enjte (6 Maj) që Kuvendit t’i propozohet një raport ku i kërkohet që të ngrihet një Komision Hetimor për të investiguar shkeljet e pretenduara të Kushtetutës nga ana e Presidenti Ilir Meta. Parlamentit i ka shkuar ky raport dhe pritet që ta miratojë sot (7 Maj) propozimin për të ngritur Komisionin Hetimor.
Përbërja e komisionit
Nëntë deputetë do të përbëjnë komisionin që do të hetojë Metën për shkeljet që pretendohet se janë kryer para dhe gjatë fushatës elektorale. Kryetar do të jetë deputeti socialist Alket Hyseni, ndërsa zëvendëskryetar Myslim Murrizi i opozitës. Deputetja socialiste Klotilda Busha do të jetë sekretare e Komisionit Hetimor. Ndërkohë do të jenë edhe 6 anëtarë të tjerë të cilët janë deputetët Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka dhe Arlind Çaçani. Për zëvendësim janë përcaktuar 3 deputetë të tjerë: Ermonela Felaj, Xhemal Qefaliaj dhe Eugen Bojaxhiu. Do të jenë këta deputetë që do të hetojnë presidentin dhe në fund do të miratojnë një raport nëse ekzistojnë shkaqe për shkarkimin e Metës.
Hetim dhe verifikim Metës
Objekti i punës së këtij Komisioni Hetimor është hetimi dhe verifikimi nëse aktet e kryera dhe deklaratat e dhëna nga Presidenti i Republikës gjatë periudhës përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, si dhe në ditën e heshtjes zgjedhore 2021 përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Po ashtu do të verifikohen pasojat e këtyre akteve në raport me parimin e unitetit të popullit, prishjen e ekuilibrit politik, të qetësisë publike, nxitjen e urrejtjes dhe dhunës, vënien në rrezik të jetës së njerëzve, ndërhyrjen dhe intimidimin e institucioneve publike, dëmtimin e imazhit dhe reputacionit të vendit, si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë, me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nën verifikim do të kalojnë edhe aktet, sjelljet dhe qëndrimet e caktuara të Presidentit të Republikës, në raport me rolin dhe pozitën e tij kushtetuese.
Komisioni i Ligjeve miratoi një raport ku përmbaheshin të gjitha pretendimet që 49 deputetët nismëtar paraqesin në kërkesën e tyre për shkelje të Kushtetutës nga ana e presidentit. Siç thuhet në raport kreu i shtetit ka kryer disa shkelje para, gjatë dhe pas fushatës, duke nxitur konflikte, favorizuar opozitën, si dhe duke cenuar marrëdhëniet e Shqipërisë me BE e SHBA. Meta e ka konsideruar ilegjitim këtë komision dhe thotë se bëhet për të shmangur vëmendjen nga problemet e procesit zgjedhor të 25 Prillit.