Kompanitë e sigurimeve rritën fitimet në gjysmën e parë të vitit 2020.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për gjashtë muaj siguruesit e jo-jetës realizuan një fitim neto prej 842 milionë lekësh ose 6.8 milionë eurosh, në rritje me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pavarësisht pandemisë, që shkaktoi rënie të primeve të shkruara bruto dhe tërmetit të nëntorit 2019, që solli rritje së ndjeshme të dëmeve, bilancet e siguruesve janë shëndoshur në pjesën e parë të një viti shumë të vështirë për ekonominë.
Rritja e fitimit të siguruesve erdhi sidomos nga përmirësimi i rezultatit teknik, që nënkupton rezultatin financiar vetëm nga aktiviteti sigurues, pa përfshirë fitimet nga investimet apo të ardhura nga zëra të jashtëzakonshëm.
Rezultati teknik për 6-mujorin 2020 ishte pozitiv për 798 milionë lekë, në rritje me 32% krahasuar me një vit më parë. Brenda këtij zëri, faktori përcaktues ka qenë ulja e shpenzimeve neto për dëme, me 21% më pak krahasuar me vitin e kaluar. Megjithëse në terma bruto shpenzimet për dëme janë rritur me 48% krahasuar me 6-mujorin 2019, fatura është paguar kryesisht nga risiguruesit. Kjo dëshmon edhe njëherë se tërmeti i ka prekur në mënyrë shumë marxhinale llogaritë e siguruesve shqiptarë, për shkak se risku ishte i transferuar tek risiguruesit.
Nëse rezultati teknik është përmirësuar ndjeshëm, fitimi nga investimet ka pësuar një rënie të ndjeshme në 88 milionë lekë, 58% më pak krahasuar me një vit më parë.
Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia nuk ka shkaktuar pasoja shumë të rënda në tregun e sigurimeve. Duke qenë një treg që mbështetet në masë dërrmuese tek sigurimet e detyrueshme, pasojat u ndjenë kryesisht gjatë periudhës së mbylljes së ekonomisë.
Tregu pësoi rënien më të thellë në fund të muajit prill, me gati 11%. Pas muajit maj, me rinisjen e qarkullimit normal të mjeteve dhe shërbimit të kontrollit teknik, shqiptarët nisën rinovimin e policave të detyrueshme TPL. Në fund të 9-mujorit 2020, rënia e primeve të shkruara bruto u reduktua në 6.1%. Në rënie paraqiten sidomos produktet e lidhur me lëvizjet ndërkufitare, ndërsa sigurimi i brendshëm TPL dhe sigurimi i katastrofave kanë shënuar rritje të primeve krahasuar me vitine kaluar.
Paralelisht, edhe kompanitë e sigurimit të jetës raportuan një rezultat financiar në rritje për 6-mujorin e parë. Sipas shifrave të AMF-së, fitimi neto i kompanive të sigurimit të jetës arriti në 133 milionë lekë, në rritje me 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.