Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 789 qytetarë, prej të cilëve 519 janë shëruar.
Referuar të dhënave zyrtare, momentalisht situata epidemiologjike në vendin tonë paraqitet e qëndrueshme. Kalimi i zonave aktive në zona jo aktive për COVID-19 ka zgjeruar hartën e të shëruarve në gjithë vendin.
“Aktualisht në vendin tonë janë 239 pacientë aktivë me COVID19 dhe pjesa më e madhe prej tyre po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 31 pacientë (11.4%) dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive”, u shpreh Eugena Tomini, specialiste e ISHP-së.
Ky është një tregues i rëndësishëm që evidentoi faktin që masat e marra kanë bërë të mundur që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet dhe të përballojë me sukses rastet të cilat kanë pasur nevojë për trajtim të specializuar në spitale.
Deri tani 31 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. z.tosku/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.