Aktori dhe poeti, Çun Lajçi ka bërë një rrëfim ekskluziv për “ABC e Mëngjesit” me gazetarin Alban Musa, ka folur për gjithçka nga lufta me Covid-19, ndarja nga jeta e së bijës deri te shitja e librave në rrugë.
Përveç shumë vështirësive në jetën e tij, ai ka treguar se së fundmi ka luftuar edhe me Covid-19. Për për 5 muaj ka qenë i shtruar në spital.
Në intervistën për Alban Musën, ai ka rrëfyer se kjo ngjarje i shërbeu të kuptonte se më shumë se 50 vite në skenë nuk ka mbledhur dot para për ditët e zeza. Madje, në pamundësi ekonomike për të përballuar blerjen e ilaçeve, Lajçi është detyruar të shesë dy nga pikturat e tij, që i kishte dhuratë prej dekadash.
“Fatkeqësisht mbas 50 e ca vitesh në teatër, unë kur u shtrova në spital kuptova që me gjithë ato vite në teatër, nuk paskam ruajtur 1 mijë euro për ditët e mija të zeza. Aty kur u shtrova kuptova që duhesha të paguaja 90 % të ilaçeve dhe s’kisha me i ble. Kur një shkrim, një piktor, një aktor që ka kontribuar gjithë jetën për qytetin e vet nuk ka mundësi, i them vetes po ai që ka jetuar gjithë jetën në skamje si do ia dal”, u shpreh aktori.
Ndikuar edhe nga gjendja ekonomike, aktori legjendar tregoi i përlotur pengun për vajzën e ndjerë. Ai tha se Bubulina ndërroi jetë me shpresën se do të kurohej jashtë, por që nuk shkoi kurrë.
“Kurrë për së gjalli nuk mundesh me ja plotësu fëmiut tënd, sigurisht as unë dhe pse jam munduar, me gjithçka që kam pas. Sigurisht që më ka mbetur peng. Po më vjen keq shumë keq, kur momentet e fundit të javës së fundit, një njeri i joni më tha që ma lërë mua se po e dërgoj në Rusi për kurim. Prej ditës që ai më tha mua, unë i thash vajzës dhe ajo çdo ditë më thoshte: ‘A tu ka lajmëru ai biznesmeni?’, edhe ai kurrë nuk u lajmërua. Vdiq vajza dhe ky është pengu më i madh i imi. Pse ja thash që filani po du me çu për kurim kur ai kurrë su bë i gjallë më dhe vajza vdiq tu e pyet: “a u lajmërue filani”. Prandaj, gjithë prindër kanë dëshirë dhe vullnet ndaj fëmijës, por kurrë nuk mundet me ja mundu dëshirat, përpos një pakice njerëzish që jetojnë me miliona”, rrëfeu Lajçi i prekur.