Në vendin tonë janë 499 raste aktive me koronavirus, çka do të thotë se ata janë rrezik potencial për infektimin e personave të tjerë.
Rastet aktive janë kryesisht në Tiranë, Shkodër dhe Krujë.
Duke qenë se shifrat e ditëve të fundit janë më të lartat të regjistruara ndonjëherë në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë apelon për zbatim të masave dhe ruajtje të higjienës personale.
Thirrja shkon veçanërisht për bizneset.
“Nisur nga fakti se ditet e fundit po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje dhe subjekte tregtare, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore. Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për vetëndërgjegjësim nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura: Kur dilni, qendroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani duart, përdorni maska ose barriera mbrojtese kur nuk mund te ruhet distanca fizike, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qendroni”, ishte thirrja e epidemiologes Eugena Tomini në daljen e saj për mediat këtë të hënë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 11 qytetarë të tjerë, duke e çuar totalin në 1.055. Ka edhe shtrime të reja në Spitalin Infektiv. Aty marrin trajtim 50 pacientë, ndërsa numrin i personave në gjendje të rëndë vijon të jetë i njëjtë: shtatë në terapi intensive dhe një i intubuar. Gjithsej në vendin tonë janë 1.590 të infektuar.