Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka rreptësuar masat për parandalimin e COVID-19 në të gjitha kishat orthodhokse në Shqipëri.
Përmes një njoftimi Kisha Orthodhokse ka njoftuar se mesha (Liturgjia Hyjnore) do të zhvillohet me dyer të mbyllura për të shmangur transmetimin e koronavirusit:
Deri në një njoftim tjetër të ri, Liturgjia Hyjnore e të dielave dhe e të kremtes së Ungjillëzimit do të kryhet vetëm në kishëzën (kapela) e Trinisë së Shenjtë të Qendrës Sinodike në Tiranë, me dyer të mbyllura, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Radio “Ngjallja” nëpërmjet valëve FM dhe internetit.
Ndërkohë KOASH ka njoftuar gjithashtu se dhe Mitropolitë e tjera, do të kryejnë shërbesat në kishëzat e tyre por pa praninë e besimtarëve.
Më herët, Kisha Orthodhokse njoftoi se të gjitha shërbesat do të ndërpriten për parandalimin e COVID-19./IMA/
Duke parë situatën e re të krijuar, kur rastet me Covid-19 po shtohen, përsëri me ndjenjën e përgjegjësisë dhe të dashurisë për grigjën tonë, njoftojmë si më poshtë klerin dhe besimtarët orthodhoksë për disa masa të tjera mbrojtëse shtesë:
1) Kishat orthodhokse do të vijojnë të jenë të hapura për lutje personale. Por, për të shmangur grumbullimin e njerëzve dhe për të kufizuar kontaktet fizike, si masë për kufizimin e përhapjes së virusit, nuk do të zhvillohet asnjë shërbesë.
2) Deri në një njoftim tjetër të ri, Liturgjia Hyjnore e të dielave dhe e të kremtes së Ungjillëzimit do të kryhet vetëm në kishëzën (kapela) e Trinisë së Shenjtë të Qendrës Sinodike në Tiranë, me dyer të mbyllura, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Radio “Ngjallja” nëpërmjet valëve FM dhe internetit.
3) Po ashtu edhe në Mitropolitë e tjera do të kryhet Liturgjia me dyer të mbyllura në kishëza (kapela) të vogla.
Kujtojmë se kjo pandemi duhet të përballohet me shumë kujdes, pa panik, me lutje dhe besim tek Perëndia, si edhe me dashuri dhe përgjegjësi të madhe për të afërmit.
Tiranë, 17.03.2020