Pas konfirmimit të të prekurve të parë me koronavirus në Shqipëri, urgjenca po përballet me një numër të lartë telefonatash.
Por në një lidhje direkte me skype për “Vizion Plus”, drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj sqaroi qytetarët që të kontaktojnë numrin 127, vetëm në rastet kur ata shfaqin simptoma të ngjashme me ato të koronavirusit. Brataj shprehet se ne rast se një person ka pasur kontakt me një të infektuar nuk duhet të vihet në panik.
Por, si duhet të veprojnë qytetarët kur ata shfaqin simptoma si: temperaturë, kollë dhe bllokim frymëmarrjeje ?
“Mbivendosja e simptomave të gripit me koronavirusin janë të ngjashme. Nëse nuk do të shfaqim simptoma dhe kemi qene me persona që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, duhet të rrimë 14 ditë të mbyllur pa pasur kontakte, sepse mudësia që jemi të infektuar është shumë e madhe.
Nëse kemi qëndruar me persona që janë të prekur me koronavirus dhe na janë shfaqur simptoma, nuk duhet të ketë panik sepse tamponi do të na thotë nëse jemi pozitiv apo negativ, gjë e cila nuk do të ndryshojë trajtimin e sëmundjes.
Nëse do të shfaqet temperaturë, nën 38.5 gradë celsius, të paktën për dy ditë nuk është shqetësuese; mund të jetë thjesht një ftohje apo një grip i lehtë ose një koronavirus i lehtë. Deri në 38.5 gradë celsius, ne mund të përdorim paracetamolin nga 500mg-100mg, në bazë të peshës që kemi. Kryesisht të rriturit duhet të marrin 1000mg.
Nëse temperatura do të jetë mbi 38.5, këshillohet të merret brufen 400mg ose 600 mg. Në rastin e këtyre shenjave, mund të merren 6-8 orë tek të rriturit dhe 4-6 orë tek fëmijët.
Nëse do të kemi kollë, do të përdorim shurup për trajtimin e kollës.
Nëse i kemi të dyja së bashku këto simptoma (temperaturë dhe kollë) është e këshillueshme të merret kompleks vitaminash; vitamin B, vitamin C, lëngje frutash dhe lëngje të tjera, ushqime të shëndetshme, sidomos fruta dhe perime.
Nëse veç këtyre dy simptomave, do të shfaqet temperatura, kolla, dhimbja e kokës, por do të kemi vështirësi në frymëmarrje (nuk mbushemi dot me frymë) do të thotë se fillojnë shenjat pulmonare, atëherë në këtë rast do të njoftoni edhe 127, ku mjeku do të vlerësojë nëse është momenti për shoqërimin e pacientit në spital.
Nëse do të kemi sekrecione nazale (rrufë), do të përdorim rinostop, nafazolinë, shpëlarje me ujë fiziologjik për hundët tek fëmijët.
Nëse kemi dhimbje fyti, veç paracatemolit, mund të marrim edhe brufen 400mg-600mg, por me dhimbjen e fytit, brufeni do të merret të paktën tri ditë rresht, dy herë në ditë pas buke.
Nëse kemi ethe ose të dridhura, nuk duhet të mbulohemi me rroba, pasi do të thotë që në këtë moment po rritet temperatura e trupit dhe ka nevojë ose për trajtim me paracetamol ose brufen. Nëse temperatura është 39 – 40, sidomos tek fëmijët, do të përdoren edhe kompresa të vakëta në zonat inguinale (sqetull, qafë, ballë).
Nëse do të kemi diarre dhe të vjella, do të marrin loperamid. Nëse ka të vjella, duhet të marrin raglan, prometazol.
Për çdo rast duhet të kontaktoni 127 për të marrë këshillimin mjekësor dhe mund të telefononi mjekun e familjes për rastet më të lehta, të cilat janë në gatishmëri për të dhënë këshillimet për çdo rast”, tha Brataj.
Marrë nga Vizion Plus