Ka shkuar në 377 numri i të infektuarve në vend me koronavirus, ndërsa në 21 numri i viktimave
ZV/ministrja e Shëndetësisë bën me dije se në 24 orët e fundit janë testuar 170 raste, prej të cilëve 16 janë pozitivë.
Në spital aktualisht janë të shtruar 73 pacientë, ku 11 ndodhen në terapi intensive dhe 2 në intubim.
“Në vijim të komunikimit të përditshëm, Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive.
Në 24 orët e fundit janë testuar 175 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 16 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 2571 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 377 raste. Janë testuar gjithashtu 11 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar të gjithë negativë nga COVID-19. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 21 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.
Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 116. Pra rreth 30% e të prekurve deri tani rezultojnë të shëruar.
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. 6 pacientë janë në terapi intensive.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 73 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Fier, Has, Berat dhe Shkodër.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
Tiranë 177 rasteDurrës 38 rasteLushnje 5 rasteElbasan 10 rasteFier 26 rasteKavajë 8 rasteRrogozhinë 4 rasteKorçë 16 rasteVlorë 5 rasteShkodër 44 rasteLezhë 14 rasteBerat 2 rastHas 12 rasteKrujë 5 raste
-Tropojë 4 rastePukë 4 rasteMirditë 3 raste
Siç shihet, kemi një rritje të numrit të rasteve kryesisht në Shkodër, Tiranë dhe Has, që tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë në komunikimet publike. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Sic e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.” /tvklan.al