Ditën e hënë rreth 32 mijë maturantë në Shqipëri do të zhvillojnë provimin e parë të maturës Shtetërore, atë të gjuhës së huaj. Ndryshe nga herët e tjera, provimi do të zhvillohet në kushte të veçanta për shkak të COVID-19.
Çdo maturant në ditën e provimit duhet të jetë i pajisur me maskë dhe doreza. Para hyrjes në provim secilit prej tyre do t’u matet temperatura. Edhe nxënësit, të cilët do të rezultojë me temperaturë mbi 37.5, do të kenë mundësi ta kryejnë provimin pa u penalizuar, por në kushte të veçanta. Domosdoshmëria e ruajtjes së distancës fizike mes nxënësve ka bërë që këtë vit të shtohen qendrat.
Ndryshe nga vitet e kaluara ku kishte 192 qendra provimi, këtë vit për shkak të COVID-19 ky numër ka shkuar në 486. Risia e testit të maturës këtë vit është se ai do jetë vetëm me pyetje me alternative. Provimi zgjat 2 orë dhe fillon në orën 10, testi do ketë 60 pyetje me alternativa dhe me nga një pikë secili.
Këtë vit i gjithë procesi i vlerësimit të testit do të kryhet nëpërmjet sistemit të korrigjimit elektronik, ndaj Ministria e Arsimit këshillon të gjithë maturantët, që të tregohen shumë të kujdesshëm me plotësimin e fletë-përgjigjes për të mos dëmtuar barkodin dhe të mos lënë pyetje pa përgjigje.
Çdo maturant që do të kapet me kopje apo celularë do të penalizohet dhe nuk do të ketë të drejtë të japë asnjë provim tjetër të maturës këtë vit.