Të gjithë të veshur me të zeza, në nderim të viktimave të ngacmimit seksual. Kjo ishte nata e edicionit të 75-të të Golden Globes, ku Frances McDormand dhe Gary Oldman triumfuan si aktorja dhe aktori më i mirë.
“Three Billboards Outside Ebbing, Missouri” triumfoi si produksioni i vitit, Guillermo del Toro mori cmimin si regjizori me i mirë ndërsa “The Handmaid’s Tale” triumfoi si seriali më i mirë dramatik.
Por për herë të parë, nuk iu kushtua vëmendja e plotë fituesve, por të gjithë pjesëmarrësve, të cilët treguan se një epokë e re ka ardhur për Hollywood-in dhe industrinë e filmave në tërësi.
Personazhi më i përfolur i ditës së djeshme ishte padyshim Oprah, e cila vazhdon të mbetet në një nga personat më me influencë të ekranit të madh.
“Një ditë e re është në horizont”. Kështu e mbylli fjalimin e saj Oprah, si një kujtesë dhe nderim për lëvizjet të cilat dominuan vitin e shkuar në ShBA. “Me Too”, ishte iniciativa e cila tronditi themelet e Hollywood-it dhe të gjithë shoqërisë amerikane.
Ndërkohë që skandalet dhe lëvizjet që po reagojnë ndaj tyre, po sjellin një erë të re të reagimit të shoqërisë ndaj padrejtësisë, në Washington, administrata e Trump vazhdon përpjekjet për kthimin e cdo ligji të administratës së shkuar, të cilat dhe pse jashtë parimeve konservatore të kabinetit të tanishëm, sollën ndryshim të vërtetë në Amerikë. Shumë nisma ligjore të administratës së shkuar sollën triumfin e kauzave të drejta sociale, të cilat bota perëndimore po i kthen sot në norma të shoqërisë.
Industria më fitimprurëse në Amerikë, që shërben si një shembull i diversitetit dhe rëndësisë që ai ka për shoqërinë e sotme moderne, i dha një shuplakë të gjithë sistemit të aktual, ku antivlera vazhdon të promovohet si vlerë dhe detyron shumë përsona që nuk kanë zë të heshtin, të nënshtrohen, të bëhen pjesë e sistemit dhe ta kenë të pamundur të mbrojnë veten. U desh një lëvizje e tërë, u desh të zbulohej skandali i Harvey Weinstein, që të krijohej lëvizja #MeToo dhe që sot, personat më me influencë në ShBA, por që kanë ndikim dhe në një gjeneratë të tërë njerëzish në të gjithë botën, të nisin një revolucion të ri për t’i dhënë fund tiranisë së më të fuqishmëve dhe heshtjes.
Seth Meyers, prezantuesi i shfaqjes, përdori monologjet e tij si një formë proteste ndaj arrogancës me të cilën politika merr vendimet e saj. “Më në fund lejohet përdorimi i marijuanës dhe është i ndaluar ngacmimi seksual” ishte një prej shprehjeve që u bë menjëherë trend në rrjetet sociale. Ai foli për procesin e ndërrimit të elitës së Hollywood, për ti dhënë më shumë fuqi lëvizjeve të saponisura.
Bashkë me të, të gjithë prezantuesit e cmimeve, në një mënyrë ose në një tjetër treguan fuqinë që ka Hollywood për të sjellë ndryshim. Iniciativa “Time’s Up”, e zërave më të fuqishëm brenda industrisë, ka mbledhur në ditët e para të krijimit të saj, plot 15 milionë dollarë, të cilat do të përdoren për mbrojtjen dhe financimin e politikave kundër ngacmimit seksual dhe kundër gjuhës së urrejtjes.
Hollywood po lufton për lirinë e të shprehurit dhe po mbron median ndaj akuzave që po bëhen trend i kohëve të fundit. Hollywood po kthehet në kundërshtarin më të fortë të fanatizmit dhe parimeve që nuk kanë vend jo vetëm në Amerikë, por në asnjë vend demokratik, përfshirë dhe vendin tonë i cili vazhdon të mbajë një sy të mbyllur, kur bëhet fjalë për respektimin e të drejtave të njeriut dhe gjithëpërfshirje. Sezoni i ceremonive tw ndarjes së cmimeve sapo ka filluar, dhe bashkë me të dhe lëvizjet për të sjellë ndryshim, të cilat po i bëjnë ballë përpjekjeve të politikës botërore për të ruajtur status quo-në dhe për të thelluar padrejtësinë që sot na rrethon të gjithëve.