Preng Gjini, 50-vjeçari të cilit pasditen e kësaj të marte iu bë një atentat me eksploziv në një prej zonave më të populluara të Tiranës, në të shkuarën ka qenë pjesë e Policisë dhe Gardës. Detajet nga e shkuara e 50-vjeçarit i solli në emisionin Opinion, gazetari Spartak Koka.
LEXO EDHE:
Atentati te ‘Vasil Shanto’/ Saga e vrasjeve mafioze mes fiseve Reçi…
“Preng Gjini është i moshës 50 vjeç. Ka shërbyer në strukturat e Policisë dhe Gardës së Republikës, disa vite më parë”.
Duke u ndalur tek saga e disa vrasjeve të ndodhura përgjatë viteve të fundit, gazetari saktësoi se ato nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Por Koka solli në vëmendje vrasjen e Gasper Reçit, një vit më parë në Rrëshen, që dyshohet se është vrarë për një konflikt me familjen e Preng Gjinit dhe vëllai të tij, Armando (Tonin) Gjini, po të ekzekutuar vitin e shkuar.
“Familjarët e Kreshnik Gjinit, të ndjerit i cili është vrarë në vitin 2017 nuk kanë asnjë lidhje familjare. Kreshnik Gjini është nga Rrësheni, ndërsa Preng Gjini nga Malaj e Mirditës, kanë vetëm mbiemrin të përbashkët. Ajo që duhet sqaruar është një moment. Është vrarë Saimir Jaku në 2016-n, Gasper Reçi në 2017-n dhe Kreshnik Gjini në 2017-n. Tre ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Janë fenomene për të cilat është hetuar deri në 2017-n. U mendua se kishte lidhje. Saimir Jaku dhe Kreshnik Gjini janë dajë dhe nip. Gasper Reçi është vrarë për një histori konflikti të dyshuar me familjen e Tonin Gjinit dhe të Preng Gjinit, të cilit iu bë atentat. Po flasim për informacione për të cilat policia sot ka më shumë, sepse para pak minutash edhe Ministri i Brendshëm pranoi se ka dështuar policia në parandalimin e kësaj ngjarjeje dhe në zbulimin e historive.”
Gazetari zbuloi edhe lëvizjet e fundit të Gjinit, përpara se t’i bëhej atentati, që dyshohet të ketë qenë i telekomanduar.
“Historia duhet parë me më shumë kujdes, sepse kjo ngjarje dhe ngjarjet që kanë ndodhur më përpara nuk do të përfundojnë këtu. Jemi përpara disa të dhënave dhe dy grupeve të cilat janë të fuqishme dhe me një reputacion të qëndrueshëm në qytetin e Rrëshenit dhe në zonën e Mirditës. Tashmë në familjen Gjini janë vrarë dy vëllezër, ndërsa po hetohet një lëvizje… informacioni i fundit që më erdhi, Preng Gjini ka qenë në një kafe në një qendër tregtare në zonën e Zogut të Zi, kur është shkëputur, ka lëvizur në drejtim të kryqëzimit të 21 Dhjetorit. Ka dalë në Vasil Shanto dhe më pas është ngjitur në pjesën për të dalë tek ura Pallatit me Shigjeta”.