Një gjë është e sigurt. COVID-19 do të mbetet në vëmëndje për një kohë të gjatë në historinë e kombeve të prekura nga një virus i pangopur me jetë njerëzish, e ku infektimet dhe humbjet e vazhdueshme po përkthehen në numra dy shifror, tre shifror, e duke shpresuar kështu se një ditë ky numërim do të ndalet. Në raste të tilla, dikujt nga ju mbase do i kujtohet mëndësia staliniste, se vdekja e një individi të vetëm do të ishte tragjedi, por e shumë individëve është thjesht një statistikë. E pra, të nderuar bashkëvuajtës të kësaj kohe apokaliptike që po jetojmë, na duhet ta pranojmë me qetësi tashmë këtë realitet, se po luftojmë pa armë me një virus kaq enigmatik në prejardhjen e tij, e gjithnjë duke shpresuar që një ditë Ne të mos jemi thjesht një numër i rradhës.
Një gjë tjetër është po kaq e sigurt. COVID-19 po na rikthen në vëmëndje historinë e
sakrificave humanitare të 40 shkencëtarëve të cilët në periudhën e qyteteve mesjetare, u
vetmohuan në emër të një vullnetarizmi altruist; ata i shkurtuan vite jetës së tyre për t’i dhënë jetëgjatësi të tjerëve; zgjodhën vdekjen e tyre për të garantuar shumë jetë njerëzish.
Po ju sjell në vëmëndjen tuaj përvojat e njerëzimit të shekullit XIV në Evropë dhe në
kontinentin aziatik ku murtaja me oreks të madh mori me vete rreth 25 milionë njerëz nga 100 milionë që ishte popullsia e botës të njohur deri atëhere (Glaser, H., 1968: 22; cit. nga Rama, F. & Starova, T., 2011:45). Po ju përmënd mjekun austriak, shkencëtarin Alois Rozenfeld i cili u vetinjektua me mikrobet e murtajës për të kuptuar natyrën e sëmundjes se çfarë shkaktonte ajo në organizëm dhe i ndjeri shkoi drejt një destinacioni të sigurt, nga i cili nuk do kishte më kthim.
Po ju kujtoj gjithashtu edhe dy mjekë të shquar bakteriologe të atëhershëm James Carrol dhe Jesse William Lazear, të cilët zhvilluan eksperimentin për të kuptuar gjenezën e sëmundjes së etheve të verdha, që dominoi kryesisht në vitet e fundit të shekullit XIX në Shtetet e Bashkuara dhe në Kubë. Doktori Lazear me vullnetin e tij u kafshua nga një lloj mushkonje që pretendohej se ishte shkaktarja e kësaj sëmundjeje dhe në këtë mënyrë i shprehte kolegut të tij James Carrol përjetimet e drejtpërdrejta që provonte nga epidemia në fjalë. Pra, këto akte heroike me qëllime humanitare për t’u vetinfektuar nga sëmundje të pashërueshme, vetëm për të gjetur antidotin shpëtimtar, jane akte fisnike që sot fatkeqësisht po i mungojne 2020-ës.
A ka më bota sot në 2020 nga këta heronj?! A ekziston ndonjë individ sot i shkencës
mjekësore, jo me mbiemrin Lazear, as me moshë 34 vjeç (aq sa ai ishte atëhere kur vullnetarisht ofroi jetën e vet në këmbim të shëndetit të njerëzimit), por sadopak me tipare të ngjashme humanitare e heroike me atë?! Ndërkohë që gjurmohen të infektuarit potencial, a nuk do të ishte mirë të gjurmohet edhe një hero potencial, në mënyrë që bilanci i viktimave në Itali të mos shkonte deri në shifrën e deritanishme 631?
Një gjë tjetër akoma më të sigurt, është se COVID-19 nuk na mësoi vetëm të nuhasnim erën e dezifektantëve, por po na mëson edhe se si të bëjmë matjet metrike në distancat që duhet të mbajmë me familjarët tanë, me miq tanë, kalimtarë; po na bën të kuptojmë se puthjet dhe përqafimet nuk janë më sjellje për të transmetuar emocione pozitive apo ndjesore dikujt, por tashmë janë metodat më të gabuara për të dhënë apo për të marrë atë që nuk duhet, sepse sot ato janë të ndaluara, sepse sot ndiqet parrulla “refuzo një përqafim, shpëto një jetë”. Shumë gjëra po mësojmë tani, se si duhet ta duam më shumë njeri-tjetrin atëhere kur COVID-in nuk do ta kemi më midis nesh.
Nga Enxhi Nasto per IMAlbania.com