Në studion e emisionit me “Zemër të Hapur” në News 24 me autore Evis Ahmetin u trajtua sot një tjetër histori shqiptare, ku në fokus është dhuna dhe ngacmimet seksuale. Një 23-vjeçare nga qyteti i Durrësit rrëfeu ngjarjen e dhimbshme dhe kalvarin e gjatë të vuajtjeve dhe dhunës sistematike nga ish-bashkëshorti.
Brenga dhe dhimbja e madhe e mbajtur prej shumë vitesh brenda shpirtit e detyroi sot 23-vjeçaren të gjendet në studion e emisionit për të ndarë me publikun atë çfarë asaj i mori vitet më të bukura dhe fëmijërinë.
Atëherë 15 vjeç, sot 23 Klejla tregon si e ka njohur ish-bashkëshortin, si është rrëmbyer me të pavarësisht se mori vesh krimin e rëndë që kishte ndodhur në familjen e tij. Ajo thotë po ashtu se ai e ka detyruar të braktisë edhe shkollën.
“Jam Kljeja Maloku, jam 23 vjeç, kam lindur dhe rritur në Durrës, vij nga një familje prej katër pjestarësh, unë dhe motra jemi të vetmit fëmijë të familjes time. Në moshën 15 vjeçe e gjysmë unë u njoha me një djalë nëpërmjet rrjeteve sociale, pas një muaji njohje në Facebook ne u takuam nga afër, ai vinte nga një familje me probleme lindur në Tiranë dhe jetonte në Durrës.
U takuam nga afër dhe ramë dakort të vazhdonim lidhjen, pas dy daljesh e morën vesh prindërit e mi, të cilët nuk ranë dakord për këtë lidhje, ishte viti 2012 që ne u njohëm. Babi nuk deshi për arsye të moshës por edhe sepse kishte pyetur për atë familje, e cila përbëhej nga katër pjestarë, pasi babai i djalit që unë dashuroja kishte vrarë gruan, pra nënën e tij një vit më parë me armë dhe me sopatë. Babi pasi mori vesh këtë më thotë mua se a e njeh atë familje që kërkon të kesh një jetë me të? Mirpo ky nuk më kishte treguar për prindërit. Ai më kishte thënë se jetonte me motrën dhe vëllain pasi prindërit i kishin bërë aksident.
Pasi babi ma ndaloi shoqërimin me të, ai shkoi dhe takoi babin dhe i foli për familjen e tij dhe lidhjen tonë. Babit nga njëra anë ju mbush mendja, mirëpo i pohoi atij se kishte kohë për të vendosur, pasi unë isha vetëm 15 vjeç e ndërsa ai 20 vjeç. Pasi ne dilnim shpesh, babi ma ndaloi daljen dhe ky më mbushi mendjen që unë të merrja rrobat edhe të shkoja të jetoja me të në shtëpi, kështu bëra u largova nga shtëpia e prindërve”,- tregon ajo.
Gjithë rrjedha e kësaj ngjarje e ka zanafillën që në moshë fare të vogël, vetëm kur ajo ishte 15- vjeç. Trauma dhe tragjedia e familjes së ish-bashkëshortit do ta trondisnin edhe më shumë dashurinë e saj, pasi fillimi i kësaj martese nisi me një gënjeshtër të tmerrëshme. Ish-bashkëshorti i fshehu faktin se nëna e tij ishte vrarë nga babai. Klejla thotë se është tmerruar kur në banesën e tij ka parë batanie e jorganë me njollat e gjakut të së ndjerës, me të cilat mbuloheshin ish-bashkëshorti me motrën e vëllain e tij.
“Mirëpo nuk kaloi shumë kohë dhe unë fillova të mësoj historinë e familjes së tij, pasi pashë një ditë se në shtëpi ishin disa jorganë të mbushur me gjak, edhe i them burrit që çfarë janë këto? Ai më pohon se babi ndodhet në burg dhe se ai ishte gjaku i mamit, pasi ky e kishte vrarë me pushkë nënën dhe sopatë. U tmerrova pasi aty kuptova se kisha të bëja me një familje problematike. Pasi kaluan disa javë unë dhunohesha nga burri për hic gjë, edhe duke parë televizor. Duke me rrahur keq, me hoqi nga shkolla dhe me pohoi se duhet te rrija ne shtepi sepse isha nuse shtepie. Mirëpo më detyroi që të gënjej edhe të them se nuk më pëlqen shkolla. Mësova pastaj që e kishte vrarë vjehrrën në gjumë, e ka vrarë me pushkë dhe me sopatë. Deri në momentin që isha në atë shtëpi ata nuk e donin babain. Thoshin që ajo dhunohej shumë nga babai. Më thoshin edhe njerëzit që ajo punonte e sakrifikonte për ta. Edhe fëmijët i ka dhunuar ai”,- tregon ajo.