Në vitin 2022, Elon Musk ka humbur 132 miliardë dollarë, me rënien e Tesla-s në Wall Street, ku kolosi i makinave elektrike do të mbyllë vitin më të keq të historisë së saj.
Megjithatë, Musk është në shoqëri të mirë. Vala e humbjeve ka prekur, në fakt, të gjithë miliarderët e teknologjisë të “Silicon Valley”, të cilët në total kanë humbur 433 miliardë dollarë, më shumë se dyfishi i PBB së Greqisë (214,87 miliardë në vitin 2021, sipas të dhënave të Bankës Botërore), ose më shumë se gjashtë herë PBB e Kroacisë (68,96 miliardë) e cila po pret të hyjë në Eurozonë.
Pas bumit të pandemisë që u dha krahë shoqërive të tyre në Wall Street, për miliarderët e teknologjisë viti që po mbyllet, do të jetë për t’u harruar.
Vlerësimet në bursë kanë rënë dhe për pasojë, edhe pasuria e tyre. Musk po paguan çmimin më të kripur për vitin 2022, gjatë të cilit ishte protagonist në shumë këndvështrime dhe në radhë të parë, me blerjen e Twitter. Drejtuesi i Tesla-s humbi 132 miliardë dollarë, por gjithsesi ajo vlen ende 139 miliardë.
Musk është përgjegjës për rënien e kolosit të makinave elektrike, i cili ka humbur më shumë se 70% të tregut të aksioneve.
Tesla e ka ndier disi “shpërqendrimin” e Musk, i përqendruar te Twitter, por edhe rritjen e konkurrencës dhe Kinës që po lufton me Covid-19.
Humbje të mëdha edhe për Jeff Bezos. Themeluesi i Amazon ka humbur 84.1 miliardë dollarë, me rënien prej gati 50% të aksioneve të gjigantit të shitjeve me pakicë.
Punët nuk po shkojnë mirë edhe për Mark Zuckerberg, shkruan “Washington Post”. Për drejtuesin e Meta, i kritikuar nga shumë palë për bastet e tij te metaverse, humbjet arrijnë në 80.7 miliardë dollarë, edhe pse pasuria e tij prej 44.8 miliardë dollarësh, është më e lartë se PBB-ja e Islandës.
Edhe dy themeluesit e Google, Larry Page e Sergey Brin, janë më të varfër, të cilët kanë humbur thuajse 88 miliardë dollarë (44,8 miliardë Page dhe 43,4 miliardë Brin). Pasuria e secilit prej tyre është pak më shumë se 80 miliardë dollarë.
Ndërsa Bill Gates është varfëruar me 28.7 miliardë dollar dhe pasuria e tij është tani 109 miliardë.
Edhe Steve Ballner e ka ndier rënien e Microsoft në Wall Street. Ish-CEO i Redmond dhe pronar i Los Angeles Clippers. Ballmer ka humbur 20 miliardë dollarë në pasuri.
Humbje kanë pësuar edhe Larry Ellison, bashkëthemeluesi i Oracle dhe Michael Dell, i Dell Technologies, të cilët humbën përkatësisht 16 dhe 7 miliardë dollarë. Pavarësisht humbjes, Dell arrin të ruajë avantazh ndaj Zuckerberg në renditjen e 25 miliarderëve.
/ANSA