Intervistë me aktoren dhe prezantuesen e spektaklit “Gjeniu i Vogël” në Televizionin Klan, Klea Huta, mbi arritjet e saj profesionale në vitin 2014 si edhe projektet e 2015- ës.
Dikur pjesë e grupit të fëmijëve- artistë, “Kripëmjaltëzat”, e tashmë brenda një imazhi të ndryshëm prej zonjushe të rritur, Klea Huta i ka kthyer dy vitet e fundit në avantazhin e saj, me hapa disi të shpejtë në ngjitjen artistike; jo vetëm në aktrim, të cilin e konsideron tashmë profesion, por edhe në moderim; pasionin e hershëm që për fatin e saj të mirë ka mundësinë ta ushtrojë ende edhe sot. Por cilat janë ëndrrat e Kleas përgjatë këtij rrugëtimi artistik, i cili duket se ka nisur me disa projekte njëra pas tjetrës?
Si ka qënë viti që lamë pas për Klean? Cili ishte momenti kyç që të dha shtytjen më të fortë këtë vit, për të marrë pastaj më lehtë hapat e tjerë ne fushën artistike, (më konkretisht në prezantim dhe aktrim)?
Në fakt, dy vitet e fundit kanë qënë shume te mirë për mua… Të mirë, sepse më kanë shpërblyer për punën qe kam bërë ndër vite. Le te themi se oguri i mbarë për këto të mira ka qënë prezantimi i Festivalit të 52 të Këngës ne RTSH, i cili u pasua menjëherë me daljen në treg të filmit serial Milenium.
Cfarë mendon se duhet të ketë një prezantuese për t’u kthyer në një ikonë, pra dikush që dallohet, por pse jo edhe imitohet?
Nuk mendoj se një prezantuese e përdor profesionin e saj për t’u cilësuar apo etiketuar si ikonë. Por mendoj se në këtë rast ndikon më shumë tërësia e saj, çdo gjë që ajo ka zotëron dhe shpreh tek publiku. Pra, është publiku ai që zgjedh dhe etiketon. Dhe këtu po flas si publik!
Nëse do t’i vendosje në një peshore aktrimin me prezantimin, nga do të anonte më shumë ajo?
Profesioni im është aktrimi. Prezantimi eshte pasion i vjetër imi, te cilin zoti më ka dhënë fatin ta ushtroj edhe tani. Cili është roli (në teatër apo film) që ke menduar se një ditë mund ta bëje me qejf e do të të pershtatej? Kam menduar dhe kam besimin se një ditë do të luaj veten time. Më pëlqejnë shumë edhe rolet e aristokrateve, si edhe role në zhanrin aksion. Por nuk është se varem nga kjo për te patur rolin e jetes time. Uroj që një ditë të kem fatin të luaj një të tillë.
Sa e lehtë/ vështirë është në Shqipëri të bësh përpara në fushën e artit? Cilat janë ato “barriera” profesionale që të është dashur të kalosh?
Kur shikon dikë qe ka arritur diçka në karrierën e tij, e sidomos në fushën e artit apo televizionit, të duket se ka bërë një rrugë pa pengesa për të arritur deri aty… Por në fakt nuk është kështu! Dhe në Shqipëri ashtu si kudo, vështirësitë dhe pengesat janë të pranishme në çdo hap që bëjmë. Fati im i mirë është që kam patur njerëzit e duhur të cilët më kanë ndihmuar e ma kanë bërë rrugën më të lehtë.
Cfarë sjell Klea ndryshe? Cila është pika jote e fortë?
Nuk është se kam tendencën të sjell diçka ndryshe. Thjesht dhe vetëm përpiqem të sjell natyrshmërinë dhe origjinalitetin tim. E ke bërë listën e “Neë Year Resolution”? Mund të na zbulosh diçka? Kam disa projekte në film dhe në teatër që më presin në fillim të këtij viti që sapo ka trokitur. Por nuk mund të zbuloj më shumë… (Qesh)
Një fjalë të fundit në vend të mbylljes.
I uroj të gjithë lexuesve një vit të mbarë, shëndet, lumturi dhe harmoni në shtëpite e shqiptarëve kudo që janë. Përqafime dhe shumë dashuri!
Marre nga Infokult / Intervistoi: Silvi Bakiri