Pacientëve që i nënshtrohen operacioneve në tru, u është kërkuar të luajnë në kitarë ose violinë gjatë ndërhyrjes, por deri tani, askujt nuk i ishte kërkuar të përgatiste dhe të mbushte ullinj në tavolinën e kirurgjisë.
Këtë e ka bërë një grua 60 vjeç në Itali, bën të ditur BBC.
Asaj iu kërkua të mbushte ullinj, gjatë ndërhyrjes për t’i hequr një masë tumorale në lobin e majtë të trurit.
Neurokirirgu në spitalin e Ankonës, tha se ndërhyrja 2 orë e gjysëm, shkoi mjaft mirë. Pacientja gjatë kësaj kohe përgatiti 90 kokrra ullinj.
Operacionet me trurin zgjuar, po aplikohen gjithnjë e më shpesh, pasi mjekët duan të shohin reagimet për të kuptuar se cilat shqisa ose funksione, ka prekur dëmtimi, ose tumori.
Po ashtu, truri zgjuar, i ndihmon mjekët për të shkaktuar sa më pak pasoja gjatë ndërhyrjes.
Neurokirurgu Trignani, u shpreh se aktiviteti i pacientit gjatë ndërhyrjes, i ndihmon ata për t’i monitoruar të folurën, ose lëvizjen apo kujtesën, që janë funksione që lidhen direkt me trurin.
Dr.Trignani, është pjesë e një ekipi prej 11 vetash që ka kryer deri tani 60 operacione në kushte të tilla, me trurin zgjuar.
Shpesh pacientëve u kërkohet të shohin filma vizatimorë, por përgatitja e ullinjve është më e komplikuar dhe kërkon më shumë impenjim.