Zëri tij i pakrahasueshëm e karakteri i veçantë e kanë kthyer Aleksandër Gjokën në një legjendë të mirëfilltë të muzikës shqiptare. Vitet ‘90 do të ishin vitet e arta kur krijimtaria e tij si kantautor do të arrinte majat. Këngë si “Ditë dimri”, “Zemra e një gruaje”, “E dua dashurinë”, “Twist again” apo “Kuturu” janë dëshmi e vyer e muzikës së pastër e pa kompromise që ai ka zgjedhur të bëjë. Gjithmonë besnik i muzikës rock, Gjoka ka sjellë për publikun shqiptar këngë të cilat i kanë rezistuar kohës e janë të dashura jo vetëm për nostalgjikët, por dhe për brezat e rinj.
Aleksandër Gjoka numëron bashkëpunime të shumta, ndër më të suksesshmit vecohet ai me Elton Deden e Redon Makashin. Tre kantautorët që i bashkoi më së shumti vizioni i njëjtë mbi muzikën gjatë viteve ‘90, njihen ndryshe si “3 Musketjerët” dhe sëbashku ngritën themele të forta të zhanrit rock dhe rock baladë. Këtë e dëshmon më së miri koncerti i ribashkimit të tyre, në maj të vitit 2017. Koncerti u prit me padurim nga publiku e më fatlumët patën fatin të ishin në sallë, pasi biletat për t’i ndjekur nga afër u shitën në kohë rekord.
Gjoka ka qëndruar gjithmonë larg vëmendjes mediatike, por shumë pranë publikut me thjeshtësinë edhe origjinalitetin e tij. Është pikërisht publiku që emocionohet ende sa herë Aleksandër Gjoka prek skenën, e ndoshta ky është vlerësimi më i madh i karrierës së tij. Për herë të parë ai pranon të jetë pjesë e ekranit për një program kaq të gjatë televiziv ku adhuruesit e tij do të kenë mundësinë të njohin dhe dimensione të tjera të artistit.
Karriera e Renis Gjokës nisi në skenën e “Top Fest 2”, në vitin 2004 kur ishte 17 vjeç, por muzika e ka shoqëruar që në fëmijëri. Talenti duket se është i trashëguar nga xhaxhai i tij Aleksander Gjoka, i cili është dhe mbështetesi më i madh. Gjoka, ka nisur rrugëtimin artistik fillimisht duke studiuar 8 vjet instrumentin e violinës e më pas duke provuar veten si këngëtar. Ka qëndruar që në fillim besnik i shijeve të tij muzikore duke krijuar një identitet artistik që e ka veçuar që në daljet e para. Për gjate një dekadë Renis Gjoka ka realizuar hite si “Ajo”, “Dashuria ime ti”, “Mjegulla”, “Sot”, “I’a mbathim bashke”, të gjitha këngë të vlerësuara me çmime të shumta në kompeticione muzikore. Nuk kanë munguar dhe bashkëpunimet me Aleksandër Gjokën siç është kënga “I njëjti do të mbetem”, e kënduar dhe kompozuar prej tyre.
Vokali i veçantë e energjia që përcjell e kanë kthyer Renis Gjokën në një nga këngetarët më të sukseshëm e më të kërkuar të momentit. Kënga e tij e fundit u rendit menjëherë në “Top 10” në listës zyrtare të “Top Awards”. Mes koncerteve e netëve të live-it, përgatitjeve për albumin e tij, këngë e videoklipe, Renis Gjoka është një emër gjithmonë prezent kur flitet për muzikë cilësore.
Ata përfaqësojnë dy breza të ndryshëm, por kanë në dispozicion një buton të vetëm! Do t’i duhet të marrin vendime të përbashkëta, e kjo nuk do të jetë gjithnjë e lehtë. Aleksandër e Renis Gjoka premtojne dyfish adrenalinë për skuadrën e tyre.