Më 19 Tetor 2004 u nda tragjikisht nga jeta Artistja e njohur Anita Bitri, vajza e saj Sibora dhe Nënë Hazbija.
Ndonëse kanë kaluar 18 vjet që nga ikja tragjike e artistes së madhe shqiptare Anita Bitrit, përsëri Diaspora, gjithë dashamirësit e Anitës dhe artdashësit e kujtojnë me dhimbje tragjedinë që ndodhi në qytetin ku jetoi në Staten Island, në New York. Ishte një ngjarje tejet e dhimbshme ku u trondit çdo qënie njërezore që e dëgjoi në te gjitha lajmet në mediet amerikane dhe shqiptare, ngase humbën tri jetë njerëzish. Ishin tri gjenerata: Anita, e bija Sibora dhe nëna e saj Hazbija.
Ato u mbytën nga gazi, monoksidi i karbonit.
Anita Bitri ishte ndër këngëtaret më të mira të brezit të viteve ’90, që erdhën në skenat e festivalit shqiptar. Me një vokal të shkëlqyer dhe mjaft e talentuar duke rrëmbyer zemrat e publikut.
Anita Bitri lindi në Sarandë më 8 janar 1968 në një familje intelektuale. Prej moshës 8–14 vjeç, Anita ishte pjesëmarrëse e rregullt e Festivaleve të Pionierëve të rrethit të Vlorës. Talenti i saj tërhoqi vëmendjen e profesor Robert Papavrami. Do të duhej vetëm një vit pune që Robert Papavrami dhe Bitri të dilnin para spektatorit vlonjat në një duet me violinë, duke mahnitur sallën me interpretimin e tyre virtuoz.
Në vitet 1980-1986 prezantohet para publikut vlonjat si violiniste në orkestrinën e shkollës së muzikës “Naim Frashëri”.
Gjatë një koncerti ku ajo merrte pjesë si violiniste, një nga këngëtare u sëmur dhe kështu, lindi domosdoshmëria të zëvendësohej. Shokët e orkestrës, që e kishin dëgjuar të këndonte, propozuan atë dhe ky ishte fillimi i një karriere të gjatë dhe të suksesshme artistike.
Kënga e parë e Anitës në shkallë kombëtare titullohet “Hartimi dhe Dëbora”. Në anketën muzikore të Radio Tiranës për këtë këngë, vlerësohet për interpretimin e saj brilant. Më pas, sukseset e saj vazhduan me këngën shumë të njohur, “Mos u nxito”, në Koncertin e Pranverës 1988, ku u vlerësua me çmim të parë. Talenti i Anitës nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e kompozitorëve të njohur të asaj kohe. Flamur Shehu ishte i pari që do të besonte tek ajo dhe do të fillonte të bashkëpunonte me të në disa festivale me radhë të Radio Televizionit Shqiptar. Vlen për t’u përmendur interpretimi i këngëve “Lulet e majit i çel në janar”, “S’ka formulë në dashuri”, “Abrakadabra” etj.
Në mars 1996 mbërrin në “tokën e premtuar”, ne SHBA. Gjatë qëndrimit në Amerikë aktiviteti artistik i Anitës ka qënë në rritje. Vlen për t’u përmendur pjesëmarrja e saj në koncertet e bamirësisë dhe aktivitete të ndryshme të Diasporës për mbledhjen e ndihmave për luftën në Kosovë.
Në 2004, pati një vdekje aksidentale, në moshën 38 vjeçare, për shkak të një bllokimi të ventilimit të kaldajës, në shtëpinë ku banonte