Për 10,000 euro dhe me ëndrrën e një jete të re larg Greqisë, vajza 15-vjeçare, së bashku me dy 17-vjeçarë, vranë nënën 50-vjeçare të të miturës. Gjykata ka vendosur t’i dënojë të tre me 8 vite në një qendër paraburgimi për të mitur, ndërsa është theksuar se për ta nuk do të ketë asnjë lehtësim në masën e sigurisë.
“Jeta ime ishte bërë e padurueshme nga abuzimi”, mësohet të ketë thënë 15-vjeçarja në dëshminë e policisë, dhënë nëntorin e kaluar, kur u arrestua për vrasjen e nënës së saj.
Marrëdhënia e keqe mes nënë e bijë filloi në vitin 2019, kur babai u nda nga jeta. 50-vjeçarja po përpiqej shumë për të siguruar jetesën dhe nuk e kishte të gjithë vëmendjen e përqendruar tek vajza e saj, e cila po përpiqej të gjente një rrugëdalje duke u mbështetur te miqtë e saj.
Marrëdhënia e vajzës me një djalë 17-vjeçar nga Rumania, ishte një lidhje që viktima nuk ia miratoi kurrë vajzës së saj. Grindjet ishin të shpeshta mes tyre, veçanërisht kur 15-vjeçarja solli të dashurin në shtëpi.
Të dy të miturit menduan se zgjidhja e vetme për të jetuar siç dëshironin ishte që 50-vjeçarja të mos ishte pranë tyre. Fakti që pak para vrasjes së saj, nëna kishte siguruar një shumë të konsiderueshme, rreth 10,000 euro, nga shitja e makinës së burrit të saj, ky ishte një motiv tjetër i dy të miturve për të hequr qafe nënën e 15-vjeçares.
17-vjeçari rumun dhe shoku i tij grek ndihmuan vajzën të vriste nënën
15-vjeçarja, siç i kishte thënë policisë, nuk mund ta vriste nënën e saj dhe ishte 17-vjeçari rumun ai që mori përsipër ta bënte këtë gjë, duke i kërkuar ndihmë edhe një shoku të tij grek, shkruajnë mediet e huaja.
Natën e 6 nëntorit 2020, 50-vjeçarja u vra me më shumë se 50 goditje me thikë.
Kështu gjykata unanimisht i shpalli fajtorë dhe i dënoi me tetë vjet në një qendër paraburgimi për të mitur, ndërsa ata do të monitorohen nga një psikolog.
Vajza 15-vjeçare pretendoi që marrëdhënia e saj me nënën nuk ishte aspak e mirë, ndërsa 17-vjeçari rumun, një mik i 15-vjeçares, pretendoi se krimi ishte kryer nga i pandehuri i tretë, i riu grek.
Në fakt, siç u zbulua gjatë procesit, vajza 15-vjeçare dhe i dashuri i saj rumun kishin bërë planin që të vrisnin nënën 50-vjeçare të vajzës, por sepse nuk mundën, rumuni thirri mikun e tij grek.
Sipas asaj që është bërë e njohur, krimi është kryer për 10,000 euro nga shitja e makinës,e cila i përkiste babait të 15-vjeçares, por që kishte ndërruar jetë në vitin 2019.
Të miturit donin të nxirrnin këto para në mënyrë që të arratiseshin jashtë vendit, ndoshta në Rumani, nga vjen 17-vjeçari.
Sipas dëshmive të tyre, vajza e mitur dyshohet se u tha autoriteteve në kohën e vrasjes: “Kur ata erdhën në shtëpi, ata hynë direkt në dhomën e nënës sime. Meqenëse e dija se çfarë do të ndodhte, unë u ula në shtratin tim dhe fillova të qaja. Pak më vonë dëgjova nënën time të bërtiste dhe për pak kohë u bë zhurmë.
Pas pak asgjë nuk u dëgjua. Ata erdhën në dhomën time dhe më thanë se gjithçka kishte mbaruar. E kuptova që nëna ime kishte vdekur. Unë nuk pashë atë që ndodhi në dhomë dhe as nuk doja të shkoja dhe të shikoja kufomën e saj”.
Ndërsa rumuni 17-vjeçar ka deklaruar se 50-vjeçarja u zgjua kur ata hynë në dhomë dhe shoku i tij bashkëmoshatar shkoi të largohej, por ai nuk e la atë: “Ajo u zgjua dhe shkoi të thërriste për ndihmë. Pastaj shoku im u tremb dhe u largua. E ndalova. Shkuam në te shtrati i saj dhe unë i bëra presion që të mos lëvizte”.
Kur u pyetën se përse e bënë këtë, 17-vjeçarja pretendoi se 15-vjeçarja nuk po kalonte mirë me nënën e saj dhe ata menduan që ajo duhej të largohej.
“Ajo që po mendonim ishte ta vrisnim dhe pastaj të zhduknim trupin e saj dhe t’i tregonim botës se ajo ishte zhdukur”.