Zbardhen detaje të reja lidhur me punonjësit e call center që kanë dalë pozitivë me COVID-19.
Burime bëjnë me dije se menjëherë pas publikimit të 15 rasteve, ISHSH ka kryer kontrolle në këto mjedise biznesi, dhe do të pezullojë punën e call center-ave ku janë identifikuar rastet.
Raste me covid janë zbuluar në një godinë ku ndodhen 4 call center, ku në të gjitha ka persona të prekur me koronavirus. Nuk dihet ende sesa është përhapur virusi te punonjësit e tjerë të këtyre kompanive, që kanë një godinë qendrore ku hyjnë dhe dalin personat.
“Ndër rastet e reja janë 15 të prekur në një call-center, kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë. Po vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë”, njoftoi paraditen e sotme ministria e Shëndetësisë.
Në të gjithë vendin tonë në 24 orët e fundit ishin zbuluar 25 raste të reja me Covid 19, nga të cilat 24 ishin në Tiranë, dhe vetëm 1 në qytetin e Durrësit.
Një lajm jo i mirë ishte ai se një pacient 69-vjeçar nga Tirana ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, duke e çuar numrin total të jetëve të humbura që prej fillimit të pandemisë në 33.