Hapja e shkollave cilësohet nga ekspertët si një vendim i domosdoshëm, por nga ana tjetër ky veprim do të thotë që do të ketë edhe vatra të reja të infektimeve me Covid.
Dje ishte dita e parë e shkollës dhe në Tiranë rezultuan pozitivë 12 mësues dhe 3 nxënës. Infektimi i tyre ka ndodhur ditë më parë, ndërsa specialitet po gjurmojnë personat e kontaktit.
“Në shkollën ‘Jeronim De Rada’ ka dalë një vatër me disa mësues pozitivë. Janë marrë masat dhe është bërë hetimi i thelluar. Janë në izolim personat pozitivë dhe rastet e kontaktit. Në Institutin e fëmijëve që nuk dëgjojnë, ka 2 mësues te prekur dhe 1 në shkollën “17 Shkurt” . Po ashtu, kemi pasur 3 nxënës, por që janë izoluar para fillimit të mësimit”, tha Abikela Prejsi, shefe e Epidemiologjisë, NJVKSH, për mediat.
Një situatë e tillë nxori në pah këshillën e dhënë nga disa ekspertë për të kryer tamponin e Covid tek të gjithë mësuesit, para rinisjes së mësimit.
Ndërkohë prindërit janë këshilluar dhe e kanë për detyrim që t’i matin temperaturën fëmijës çdo mëngjes para se ta nisin për shkollë. Dhe të lajmërojnë drejtuesit e shkollës nëse vënë re një ndryshim në gjendjen shëndetësore të fëmijës së tyre.
Kur kërkohet izolomi, qëndrimi i fëmijëve dhe familjarëve në shtëpi do të justifikohet me raportin për Covid-19 që lëshohet nga njësia vendore e kujdesit shëndetësor.