10 vite më parë bëri bujë largimi i aktorit dhe moderatorit shumë të dashur për publikun, Agron Llakajt nga “Portokallia”, ku prej vitesh moderonte dhe aktronte në role që edhe sot kujtohen me nostalgji nga publiku.
Megjithatë duket se pas 10 vitesh, ai ka vendosur të rikthehet në spektaklin më të vjetër të humorit në Shqipëri. Burime brenda “Top Channel”, bëjnë të ditur për “Who” se Llakaj po negocion me ftesë të drejtuesit Ben Blushi për të marrë sërish timonin e “Portokalli”, pas lajmeve se regjisori Altin Basha do të largohet me një format tjetër në “Abc News”.
Basha pak kohë më parë i mohoi zërat për largim, por thashethemet se ai do të ikë nga “Top Channel”, ende vazhdojnë.
Tre vite më parë Agron Llakaj i ftuar në “Xing me Ermalin”, për arsyet e largimit të tij nga “Portokalli”, u shpreh: “Unë ofrova diçka për ndryshim, por mendimi im nuk u përqafua dhe prej momentit kur nuk prodhon më vlerë e kthehet në një lloj monotonie, mirë është që të largohesh. Unë nuk kam pranuar ndonjëherë që të jem i varur në çengel që dikush të më lëvizë majtas apo djathtas”.