Nga aksioni te komedia, filmat vizatimorë, horrori dhe drama, një shumëllojshmëri zhanresh do të përcjellin emocione të papërjetuara tek audienca këtë muaj gusht
Kinema
- “Princi i vogël” (The Little Prince)
James Franco, Marion Cotillard dhe Benicio Del Toro janë mes yjeve që i kanë dhënë zërin e tyre rrëfimit vizatimor të këtij romani klasik të vitit 1943. Nga regjisori i filmit Kung-fu Panda dhe skenaristët e njohur si Irena Brignull dhe Bob Persichetti, kjo përrallë fëmijësh është kthyer në një histori moderne. Filmi vizatimor të udhëheq drejt një aventure të mrekullueshme së bashku me një vajzë të vogël, e cila është kureshtare për të njohur botën dhe për të jetuar ëndrrat e fëmijërisë. Me disa nga vizatimet origjinale të shkrimtarit, çdo skenë e këtij filmi është shumë e vlerësuar për ngjyrat e bukura dhe gëzimin e mesazhet që përcjell te shikuesi. Mos e humbisni!
- Burri nga U.N.C.L.E (The Man from UNCLE)
Drejtori Guy Ritchie ka risjellë në jetë seritë televizive të viteve 1960 me një aventurë aksion. Henry Cahill, protagonisti i filmit “Man of Steel” luan rolin e një agjenti të CIA-s, i cili krijon një skuadër me një agjent të KGB luajtur nga aktori Armie Hammer për të luftuar një organizatë kriminale. Pas shfaqjes së dyshes në filmin “Sherlock Holmes” bashkëpunimi i tyre duket se vazhdon edhe në këtë film. Nën motivet e modës së Luftës së Ftohtë, ky film pritet të gjenerojë miliona dollarë pas premierës botërore më 13 gusht.
- Ditari i një adoleshenteje (The Diaryof a Teenage Girl)
Rrugëtimi i një vajze adoleshente drejt eksplorimit të seksualitetit të saj u bë një film hit kur u shfaq në Festivalin e Filmit Sundance. Frymëzuar nga romani grafik i Phoebe Gloeckner, aktorja protagoniste Bel Powley u bë menjëherë një yll në rritje për vitin 2015.
Performanca e saj është aq e shkëlqyer në këtë film, saqë kritikët kanë shkruar se e ka kaluar dhe atë të protagonistit tjetër me eksperiencë Alexander Skarsgard nga filmi True Blood dhe paraqitjen e Kristen Wiig nga filmi The Skeleton Twins. Me regji të Marielle Heller, filmi është një përzierje e aksionit dhe animacionit, ndërsa koha e ndodhive është viti 1970 në San Francisko.
- Direkt nga lagjet e varfra (Straight Outta Compton)
Duke treguar për historinë e një grupi ikonë hip hopi, filmi që përfshiu Dr. Dre dhe Ice Cube, nuk ka qenë i lehtë. Plot problematika për nga realizimi dhe i mbushur me evente të papritura filmi paraqet rrugën e vështirë të një grupi muzikor që gjen ritmin në lagjet e varfra të Los Anxhelosit, rrethuar nga paragjykimet racore. “Ne e tregojmë çdo gjë me muzikë, atje shprehim inatin dhe zemërimin”, thuhet në film. 14 gushti do të jetë data e publikimit të filmit.
- Z si Zaharia (Z for Zachariah)
Romani shkencor dhe triller i vitit 1974 nga autori Robert O’Brien, vjen në ekranin e madh i sjellë në jetë me një stil mjaft tërheqës. Filmi tregon historinë e një vajze qyteze luajtur prej Margot Robbie, e cila jeton në luginën e vetme ku mund të merret frymë lirshëm pas një lufte bërthamore. Ajo takon një të panjohur dhe familjarizohet me të, ndërsa gjërat bëhen më të ndërlikuara kur një i panjohur i dytë hyn në skenë. Me aktorë të njohur si Chiwetel Wjiofor dhe Chris Pine ky film pasapokaliptik është cilësuar si një dramë që arrin majat e kinematografisë së këtij viti. Ai do të dalë në kinema më 28 gusht.
- Mision i pamundur 5 (Mission Impossible – Rogue Nation)
Seria e pestë e franshizës së filmave të Misionit të Pamundur, me shumë aventura, përballje të armatosura dhe ironi komike shërben për të rrëfyer ngjarjet me spiunë. Me performancën e shkëlqyer të Tom Cruise, historia vazhdon me çaktivizime bombash, hedhje nga ndërtesat, parashutizëm dhe çdo aksion tjetër që mund t’i shkojë ndër mend regjisorit Christopher Mc Quarrie. Filmi gjendet tanimë në kinematë botërore.
- Dashnorja Amerikë (Mistress America)
Skenaristi dhe regjisori Noah Baumbach bashkëpunoi sërish me Greta Gerwig për të krijuar një tjetër film që do të kthehet shumë shpejt në hit. Gerwigluan rolin e një vajze qyteti, e cila merr nën mbrojtje një studente të vetmuar dhe i mëson asaj stilin amerikan të jetesës në metropol. Duke ekspozuar problematikat kryesore të përditshmërisë amerikane dhe padrejtësitë e jetës, filmi jep një këndvështrim të ri mbi mënyrën se si duhet të përballemi me vështirësitë dhe se si duhet të gjejmë bukuri në çdo problem që hasim. Data 14 gusht është premiera botërore e filmit.
- Netët arabe: Vëllimi 1 (Arabian Nights: Volume 1, the Restless One)
Pavarësisht një kohe realizimi prej 338 minutash që gjë i ka detyruar producentët ta ndajnë në tre pjesë, Netët Arabe fitoi çmimet më të larta të Festivalit të Filmit në Sidnej 2015. Një dramë komedi nga regjisori Miguel Gomes, filmi është i frymëzuar nga përrallat klasike të sjella në ditët reale. Me një gjuhë komike dhe realizim të shkëlqyer, filmi ka marrë kritika të mira dhe pritet të korrë edhe më shumë sukses.
- Kur kafshët ëndërrojnë (When Animals Dream)
I dyzuar mes trilerit dhe horrorit, filmi tregon për ngjarjet e papritura të një vajze ujkonjë, e cila ndodhet në një masakër skandinave. Plot frikë, aventurë dhe problematika përtej njerëzores, filmi fton të gjithë të pasionuarit pas këtij zhanri të njohin të tjera thellësi të vetes. Ai është shfaqur më 6 gusht në Kili.
- 45 vjet (45 Years)
Kjo dramë britanike e trondit publikun me performancën e fuqishme të dy aktorëve kryesorë, teksa ngjarjet rrjedhin ngadalë, por me vrullshëm. Yjet Charlotte Rampling dhe Tom Courtenay luajnë si një çift që do të festojë 5-vjetorin e martesës, ndërsa marrin lajme shqetësuese që do të tronditin martesën e tyre të qetë. Një nga filmat më të vlerësuar në Britani, juritë e festivaleve të filmit e kanë quajtur këtë film si një ekspozim i qetë i ajkës së kinematografisë. Bazuar në novelën e David Constantine dhe me regji të Andrew Haigh filmi do të dalë në kinema më 28 gusht.
*Burimi: BBC.