31 filma dhe dokumentarë, 12 prej të cilëve janë vendorë do të shfaqen për tri ditë me radhë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Sportiv “Prishtina 2020”, i cili po mbahet për herë të parë edhe në Kosovë.
Në këtë festival do të shfaqen filma nga 14 shtete të ndryshme.
Besim Hasani, kryetar i KOK-ut, tha se ky Festival po vjen 11 muaj pas anëtarësimit në Federatën Ndërkombëtare për Kinemanë Televizive Sportive (FICTS).
Ai tha se gjatë tri ditëve do të shfaqen filma të shumtë sportivë ndërkombëtarë, për të cilët KOK ka të drejtën ekskluzive të shfaqjes së tre.
Hasani: I kemi 31 filma gjithsejtë, ku prej tyre 19 janë nga shtetet e huaja,
“I kemi 31 filma gjithsejtë, ku prej tyre 19 janë nga shtetet e huaja, madje nga të gjitha kontinentet dhe kemi 12 filma të zhanreve të ndryshme këtu në Kosovë që është shumë e rëndësishme. Krejt këto e bëjnë këtë festival mjaftë të rëndësishëm. Në mesin tonë janë edhe autorët e filmave të ndryshëm të cilët do t’i përshëndes sepse kanë bërë një punë të jashtëzakonshme dhe komuniteti i sportit brenda këtyre dy ditëve të ardhshme do të kenë mundësi të shohin ikonat e sportit këtu në Kosovë”, tha ai.
Ai tha se këta filma do të shfaqen edhe në Milano të Italisë prej 7-11 nëntor, ndërsa shtoi se ky festival do të bëhet tradicional.
Franco Ascani president i Federatës Ndërkombëtare të Kinemasë Sportive dhe Televizionit, përmes një mesazhi vizuel në pamundësi për të qenë prezent në këtë Festival, tha se kjo ngjarje synon përgjithësimin dhe vlerat pozitive të sportit si një instrument i ndryshimin social.
Ascani: Kinemaja është fantazi, sporti realitet
“Në emër të 121 shteteve anëtare flas këtu në emër të FICTS dhe me përkrahjen e Komisionit Ndërkombëtar Olimpik ku unë jam opjesëtar i komisionit për kulturë për t’i pasur organizatorët ekspertë me veçanti kryetarin e KOK-ut, Besim Hasani i cili me këmbëngulje ka dashur të organizohet kjo ngjarje që synon përgjithësimin dhe vlerat pozitive të sportit si një instrument i ndryshimin social përmes figurës së gjallë të drejtorit dhe punëtorëve të kualifikuar në botën e kinemasë dhe të televizionit. Kinemaja është fantazi, sporti realitet. Mediat e reja janë baza e revolucionit të vërtetë kulturor”, tha ai.
Sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Ibër Alaj, në emër të ministres Vlora Dumoshi, përgëzoi KOK-un për organizimin e këtij festivali, teksa shtoi se do të vazhdojnë të përkrahin të gjitha organizatat që angazhohen për pasqyrimin e vlerave sportive në mënyrë kualitative.
Alaj: Vlerësojmë lart angazhimin dhe punën e KOK-ut
“Në emër të ministres Vlora Dumoshi e përgëzoj KOK për organizimin e këtij festivali të filmave që është shumë i rëndësishëm në pasqyrimin dhe arkivimin e filmave qoftë të shkurtër, qoftë të gjatë sidomos në fushën e sportit që ka qenë pjesë e pambuluar në këtë periudhë. Prandaj e vlerësojmë lart angazhimin dhe punën kështu që ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të gjitha organizatat sportive në mënyrë që prodhimet dhe shfaqjet televizive të jenë ato që pasqyrojnë punën dhe aktivitetet të cilat janë shumë të rëndësishme në fushën e sportit në mënyrë që produktet tona të kenë vlera dhe ato t’i prezantojmë para publikut vendë dhe atij ndërkombëtar”, tha ai.
Në fund u shfaq dokumentari për xhudistët më të famshme në botë, Majlinda Kelmendi. Ndërsa të tjerët vazhdojnë të dielën.