Prezenca e Ledri Vulës mbrëmjen e sotme në “The Voice of Albania 5” ka gëzuar fansat e tij, por duket se ka shkaktuar dhe polemika midis grupit realizues të programit.
Është Zefina Hasani, autorja e programit, e cila duket se nuk ka qenë aspak dakord me vendimin e drejtorit artistik, z.Alban Male, për të ftuar reperin të këndojë live. “Ledri pa zë, veç figurë”: kështu e ka nisur ajo mendimin e saj të cilin e ka ndarë me anë të një statusi në profilin e saj në Facebook.“Në audicionet e hapura, ku prisnim e dëgjonim zëra të shumë aplikantëve që synon të bëheshin pjesë e “The Voice of Albania 5”, ndodhte shpesh që të vinin ta provonin shansin me këngët e Ledri Vulës. Ishim kategorike për të mos i lejuar, sepse ato këngë s’ta nxjerrin dot në pah zërin. Jam e sigurt, që edhe ai vetë, po të vinte në The Voice, ato butonat e kuq nuk do të ishin ndezur për të. E megjithatë, ja ku vjen një ditë që Ledri vjen si i ftuar në natën gjysmëfinale të “The Voice of Albania 5”, sigurisht me këngët e tij që s’kanë nevojë hiç për zë, por që për hir të vërtetës, duhet thënë se kanë pushtuar tregun muzikor. Të rinjtë e duan, e klikojnë e ndjekin çmendurisht pikërisht për llojin e muzikës që ai sjell në treg dhe e për llojin e imazhit që ka krijuar. S’di sa do ta pranojnë e do ta pëlqejnë sontë në mbrëmje brenda kontekstit të “The Voice of Albania 5”, ku për hir të së vërtetës duhet thënë që pushtetin e ka zëri po aq sa stili e imazhi. Në ju pëlqeftë, shijojeni! Në mos ju lutem mos më gjykoni për keq sepse unë isha kundër pjesëmarrjes së tij në The Voice. Qofsha unë gabim në këtë gjykim. Ndoshta udhëheqësi artistic Alban Male e ka nuhatjen më të saktë, përderisa e pranoi Ledrin dhe muzikën e tij në këtë skenë” ka thënë ajo.
Deklarata e autores së “Voice of Albania”, vjen për koincidencë, disa ditë pasi revista “Story” e kishte akuzuar Hasanin, si “arsye kryesore të ‘stonimit’ të formatit”, e cila, sic gjykon kjo revistë, ” ndoshta duhet të vrasë mendjen për të gjetur mënyra më avantguarde për të na mbajtur mbërthyer para ekranit.” Në këtë shkrim, kritikohej gjithashtu edhe juria (e përbërë nga Sidrit Bejleri, Alma Bektashi, Genc Salihu dhe Jonida Maliqi). “Edhe pse të katër bashkë nuk e kalojnë mesataren e moshes 30 vjec, duken si dy dekada më shumë për nga mënyra e gjykimit paksa e vjetëruar.” shkruan “Story”.
Marre nga Anabel.al